Photo (4)

Universiteti përfshihet në një projekt për cilësinë e ajrit

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, përkatësisht Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore, do përfshihet në një projekt për cilësinë e ajrit në Kosovë, që financohet nga SIDA suedeze. Për të biseduar për detajet e këtij projekti, të martën qëndroi në Universitetin “Isa Boletini” një delegacion nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku u prit nga rektori, Alush Musaj.

Në takim u bisedua për programet që ofrohen në Fakultetin e Tekonogjisë Ushqimore sa i përket sferës mjedisore. Bashkëbiseduesit vlerësuan se programet e këtij fakulteti janë tepër të rëndësishme për Kosovën, duke pasur parasysh sfidat që ka në fushën e ambientit.

Rektori Musaj, tha se është duke u punuar në hapjen e një programi në gjuhën angleze për trajtimin e ujërave të zeza. “Është një projekt i përbashkët me ekspertë holandezë, me çka do të krijohen mundësi që në Universitetin “Isa Boletini” të përgatiten ekspertë të kësaj fushe”.

Ndërsa, Nezakete Hakaj nga MMPH-ja dhe eskperti për cilësinë e ajrit, Karlo Ferrari, vlerësuan punën e Universitetit “Isa Boletini” sa i përket përgatitjes së kuadrove të reja për fushën mjedisore. Në këtë kontekst, do të organizohet edhe një ligjëratë në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore nga ekspertë të angazhuar në kuadër të projektit për cilësinë e ajrit.