IMG 20261009 WA0030

Vizitë bashkëpunuese në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në kuadër të projektit Shqipëri–Kosovë

Më 9 tetor 2026, në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore u realizua një vizitë bashkëpunuese në kuadër të projektit shkencor me titull: “Prodhimi bioteknologjik dhe karakterizimi kimik e fiziologjik i produkteve bionatyrale nga kultivimi in vitro i Hypericum perforatum L. nën strese abiotike për popullata spontane në zonën ndërkufitare Shqipëri–Kosovë”.

Në këtë projekt janë të përfshira tri universitete partnere: Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë. Projekti synon të zhvillojë kërkimet shkencore mbi kultivimin in vitro të bimës Hypericum perforatum L., si dhe të analizojë karakteristikat kimike dhe fiziologjike të produkteve bionatyrale nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm të stresit abiotik.

Nga Universiteti i Tiranës, në këtë vizitë morën pjesë Prof. Dr. Valbona Sota, Prof. Dr. Bledar Murtaj dhe Prof. Dr. Ajola Mesiti, ndërsa nga Universiteti i Prishtinës mori pjesë Prof. Dr. Bekim Gashi. Përfaqësuesit e universiteteve partnere u pritën në FTU nga Prof. Asoc. Dr. Mirsade Osmani, anëtare e ekipit të projektit. Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me veprimtarinë kërkimore-shkencore të fakultetit, laboratorët dhe pajisjet laboratorike, si dhe me mundësitë për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore.

Gjatë vizitës u shkëmbyen përvoja dhe ide lidhur me bashkëpunimin ndërmjet universiteteve partnere dhe realizimin e aktiviteteve të parapara në kuadër të projektit. Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për zhvillimin e kërkimeve shkencore, shfrytëzimin e kapaciteteve laboratorike dhe shkëmbimin e njohurive profesionale. Kjo vizitë paraqet një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet universiteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për avancimin e mëtejshëm të aktiviteteve kërkimore në fushën e bioteknologjisë bimore.

IMG 20261009 WA0029
Shperndaj ne: