Vizitë studimore në Shoqatën Down Syndrome Kosova nga studentët e Fakultetit Ekonomik
Në kuadër të planprogramit të lëndëve Ndërmarrësia dhe Ndërmarrësia Sociale, studentët e specializimit Menaxhment dhe Ndërmarrësi nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, realizuan një vizitë studimore në Shoqatën Down Syndrome Kosova (DSK) – dega në Mitrovicë.
Gjatë kësaj vizite, studentët u pritën nga Z. Xhenis Beqiri, Menaxher i Qendrës për Shërbime dhe Znj. Erza Zasella Gjosha, Përgjegjëse e Shërbimeve në këtë shoqatë. Ata prezantuan punën e DSK-së në regjionin e Mitrovicës, me fokus në objektivat strategjike të organizatës:
- Avokimi për realizimin e të drejtave të personave me Sindromën Down (SD).
- Zhvillimi i kapaciteteve të DSK-së për ofrimin e shërbimeve të qëndrueshme.
- Zhvillimi i programeve të ndërmarrësisë sociale brenda kuadrit të DSK-së.
Studentët vizituan:
- Punëtorinë e Mjaltës “Amë”
- Punëtorinë e Kartolinave
- Kafeterinë X21, ku janë të punësuar një person me Sindromën Down dhe një familjare e një personi me këtë sindrom.
Biseda me stafin e DSK-së u zhvillua duke shijuar kafen më të shijshme në qytet në Kafeterinë X21. Kjo vizitë ofroi një mundësi të shkëlqyer për studentët që të njihen nga afër me shembuj konkretë të ndërmarrësisë sociale dhe përfshirjes së grupeve të margjinalizuara në tregun e punës. Si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm të Shoqatës me institucionet publike dhe me sektorin privat, deri më tani në regjionin e Mitrovicës janë punësuar 8 persona me Sindromën Down – një arritje e rëndësishme për gjithë komunitetin.




