30 punime shkencore do të prezantohen në “Konferencën Ndërkombëtare për Gjeoshkencë (IGCM))”, që mbahet më 22 dhe 23 tetor 2026 në UIBM
Në edicionin VIII të Konferencës Ndërkombëtare për Gjeoshkencë (IGCM) që mbahet më 22 dhe 23 tetor 2026 në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të prezantohen 30 punime nga studiues brenda dhe jashtë vendit. Kështu u tha të martën në mbledhjen e fundit të Këshillit Organizativ (KO) para mbajtjes së kësaj konference që organizohet nga UIBM, Ministria e Ekonomisë dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Kryesuesi i KO, prof.dr. Kemajl Zeqiri, tha se pesë folës ndërkombëtarë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. “Në Konferencë priten të prezantohen 30 punime nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë që vijnë nga vende të ndryshme, si Gjermania, Italia, Turqia, Bullgaria dhe Sllovenia”.
Ai tha se përgatitjet kanë shkuar mirë dhe pritet që gjithçka të shkojë sipas planifikimit. “Ky organizim përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e gjeoshkencave, duke synuar të krijojë një platformë bashkëpunimi dhe shkëmbimi të njohurive ndërmjet studiuesve, akademikëve profesionistëve dhe vendimmarrësve”, tha Zeqiri.
