Bleona Musliu, studente e vitit të katërt në Fakultetin Juridik në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ka fituar vendin e dytë me hulumtimin e saj për “Përparësitë dhe mangësitë e ndihmës juridike falas në Kosovë”, në një garë të hapur për studentë të të gjitha fakulteteve juridike në Kosovë. Në këtë hulumtim të organizuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me Institutin për Hulumtime dhe Studime Juridike dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, kanë marrë pjesë 40 studentë.
Hulumtimet, të cilat nuk është dashur të jenë më të gjata se 2 mijë fjalë, janë kontrolluar nga një komision ekspertësh të angazhuar nga UNDP-ja. Fituesi i vendit të parë është shpërblyer me 400 euro, vendi i dytë me 300 dhe vendi i tretë me 200 euro.
Studentja e UMIB-it, që ka marrë vendin e dytë, shprehu kënaqësinë e saj që ka qenë pjesë e kësaj gare. “Ne kemi provuar veten tonë me dijet që i kemi fituar përgjatë studimeve e që po reflektojnë aq pozitivisht duke u vlerësuar çdoherë e më lartë”, tha ajo.
Studentët e Fakultetit Juridik në UMIB janë treguar shumë të suksesshëm edhe në garat tjera që janë organizuar në fushat juridike, duke u marrë disa herë vendet e para.