Panair me Biznese dhe prezantime nga studentët alumni në kuadër të “Ditës Alumni 2026”
Në kuadër të “Ditës Alumni 2026” në hapësirat e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u organizua një Panair me Biznese si dhe një prezantim i ish-studentëve me të arriturat e tyre. Në këtë kuadër ish-studentja e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, Leonita Kajtazi ka prezantuar dhe lansuar platformën E-Alumni UIBM.
Pas Panairit të Bizneseve, ku studentët dhe të pranishmit tjerë patën rastin të njihen me produktet dhe punën e tyre, shumë prej të cilave përfaqësoheshin nga ish-studentët e UIBM, u mbajt edhe pjesa e prezantimeve. Fillimisht prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi, i ka falënderuar të gjithë përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse si dhe ish-studentëve të cilët po e promovojnë Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Ndërsa, kryetarja e Bordit të Asociacionit “Alumni”, prof.ass.dr. Dafina Llugaxhiu, tha se është një ditë me rëndësi të veçantë për Universitetin sepse nuk po festohen vetëm sukseset e ish-studentëve, por po forcohet lidhja mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes së UIBM-së. “Çdo sukses i alumnëve tanë është një krenari për UIBM-në dhe një motivim për studentët aktualë që të besojnë në potencialin e tyre dhe të ndjekin ëndrrat profesionale me përkushtim dhe guxim”.
Ajo poashtu potencoi lansimin zyrtar të platformës E-Alumni, e cila do të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet alumnëve, studentëve dhe universitetit, duke krijuar mundësi për bashkëpunim, mentorim, këshillim profesional dhe zhvillim të rrjetit profesional. Sipas saj, përmes kësaj platforme synohet të mbahen alumnët afër Universitetit, të krijohen mundësi të reja për studentët, të promovohen sukseset e komunitetit akademik dhe të ndërtohen bashkëpunime të qëndrueshme profesionale.
Para të pranishmëve me rrëfimet e tyre të suksesit janë paraqitur ish-studentët: Elona Idrizi, Plotmira Haziraj, Diellza Preteni, Melisa Bruqi, Arbnora Durmishaj, Vlora Mehmeti, Valdrin Nasufi, Almedin Nasufi dhe Blerina Istrefi. Për të vlerësuar të arriturat e tyre si dhe ngritjen e imazhit dhe promovimit të UIBM, janë nderuar me titull “Ambasador nderi”.
