Erzeni

QZHK shkëmben përvoja me Qendrën për Këshillim dhe Zhvillim të Karrierës të Universitetit Rumuno-Amerikan

Në kuadër të mobilitetit ndërkombëtar Erasmus+, që po zhvillohet në Universitetin Rumuno-Amerikan në Bukuresht, përfaqësuesit e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë zhvilluan një takim me Lucian Botea, Zëvendëspresident për Zhvillimin e Partneriteteve dhe Transformimin Digjital. Gjatë takimit, Erzen Isufi, zyrtar i Lartë për Zhvillim të Karrierës, dhe Abdullah Sadiku, zyrtar i Lartë për Projekte dhe Programe, prezantuan modelin e funksionimit të Qendrës për Zhvillim të Karrierës në UIBM, aktivitetet që zhvillohen në mbështetje të studentëve, si dhe iniciativat për zhvillimin dhe fuqizimin e rrjetit Alumni.
Njëkohësisht, përfaqësuesit e UIBM-së u njohën me organizimin dhe praktikat e Qendrës për Këshillim dhe Zhvillim të Karrierës të Universitetit Rumuno-Amerikan, duke shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira në ofrimin e shërbimeve për studentët dhe të diplomuarit. Takimi u zhvillua në kuadër të aktivitetit Java Ndërkombëtare e Universitetit Rumuno-Amerikan – “Përgatitja e Studentëve për një Mjedis Ndërkulturor”, i cili po mbahet nga 29 qershori deri më 4 korrik 2026.
Ky mobilitet përfaqëson një mundësi të rëndësishme për ndërkombëtarizimin e UIBM-së, zhvillimin profesional të stafit administrativ dhe zgjerimin e bashkëpunimit me universitete partnere nga Evropa, Amerika, Kanadaja dhe Afrika.
Shperndaj ne: