Në Fakultetin Juridik u organizua sesion informativ për identifikimin dhe luftimin e lajmeve të rreme
Në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, u mbajt një ligjëratë e hapur me studentët e këtij Fakulteti, e organizuar nga Demokraci Plus (D+). Fokusi kryesor i këtij sesioni informativ ishte aftësimi i studentëve për të identifikuar lajmet e rreme dhe për të luftuar dezinformimin. Përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike, ata mësuan si të analizojnë burimet e informacionit dhe si të përdorin mjetet digjitale që ofron platforma e edukimit medial e D+, e financuar nga Bashkimi Europian dhe nga rrjeti ballkanik i kontrolluesve të fakteve, SEE Check Network.
Kjo platformë i mundëson të rinjve të fitojnë njohuri, të certifikohen dhe të testojnë aftësitë e tyre përmes lojës “Sfido detektorin e së vërtetës”. Provo lojën këtu:
https://edukimimedial.dplus.org/sq/test-your-truth
Në fund të sesionit, dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Islam Qerimi, falënderoi përfaqësuesit e D+, Emir Abrashin, analist të politikave dhe menaxher të projekteve, si dhe Donika Ahmetaj, hulumtuese. Gjithashtu, dekani propozoi që në të ardhmen të thellohet ky bashkëpunim dhe kërkoi që një numër i studentëve të këtij fakulteti të zhvillojnë praktikat profesionale në projektet që D+ i menaxhon dhe zhvillon.
