Studentët e Fakultetit Juridik të UIBM pjesë e edicionit të dhjetë të Projektit Ndërkombëtar për Analizën e Rasteve të Pazgjidhura (ICCAP)
Falë marrëveshjes së bashkëpunimit të arritur ndërmjet Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe Fakultetit Juridik të Universitetit të Këlnit, e iniciuar nga Prof. Dr. Islam Qerimi (dekan) dhe Prof. Dr. Anja Schiemann (shefe e Katedrës së së Drejtës Penale), studentët tanë po marrin pjesë në edicionin e dhjetë të Projektit Ndërkombëtar për Analizën e Rasteve të Pazgjidhura – ICCAP (International Cold Case Analysis Project). Ky projekt zhvillohet në bashkëpunim me universitete partnere nga Gjermania dhe vende të tjera evropiane, duke përfshirë profesorë, studiues dhe profesionistë të fushës.
ICCAP është një iniciativë ndërkombëtare prestigjioze që u ofron studentëve mundësinë unike për të qenë pjesë e analizës profesionale të rasteve reale të pazgjidhura. Projekti zhvillohet në një mjedis bashkëpunues dhe multidisiplinar, ku studentët punojnë krah për krah me kolegë ndërkombëtarë dhe ekspertë të fushave si drejtësia penale, shkencat forenzike, antropologjia dhe psikologjia.
Përfshirja në projekt realizohet përmes një procesi aplikimi, ku studentët shprehin interesin dhe prezantojnë përgatitjen e tyre akademike dhe praktike në fushat përkatëse. Pas pranimit, ata organizohen në ekipe ndërkombëtare të përziera dhe punojnë në analiza të detajuara të rasteve të vërteta, nën mbikëqyrjen dhe mentorimin e profesorëve dhe profesionistëve të angazhuar nga institucionet pjesëmarrëse.
