Prof.ass.dr. Bastri Zeka nis Postdoktoraturën dhe shënon 7 vite partneritet e bashkëpunim akademik me Universitetin e Lubjanës
Prof.ass.dr. Bastri Zeka, shef i Departamentit të Materialeve dhe Metalurgjisë, ka filluar hulumtimet e tij si Postdoctoral Fellow dhe Teaching Fellow në Universitetin e Lubjanës, në programin Materiale dhe Metalurgji. Ky Postdoc Fellowship dhe Teaching Fellowship, i mbështetur nga Ministria e Arsimit e Kosovës MASHT dhe Universiteti i Lubjanës, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt avancimit akademik dhe profesional, duke mundësuar hulumtime të drejtpërdrejta, publikimin e rezultateve shkencore, zhvillimin e njohurive të reja, përfshirjen në mësimdhënie dhe mentorim të studentëve, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet programit të Materialeve dhe Metalurgjisë në Mitrovicë dhe Universitetit të Lubjanës, me synim zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit kërkimor ndërmjet të dy universiteteve.
Krahas këtij angazhimi, prof.ass.dr.Bastri Zeka, së bashku me prof.asoc.dr.Mitja Petrič, Primoz Mrvar, Goran Kugler dhe shefin e programit Materiale dhe Metalurgji, kanë kremtuar 7 vjet bashkëpunim të suksesshëm mes Universitetit të Mitrovicës dhe Universitetit të Lubjanës në programin Materiale dhe Metalurgji. Deri më tani janë realizuar 35 mobilitete të stafit dhe studentëve nga fushat e Materialeve dhe Metalurgjisë, Xehetarisë dhe Gjeologjisë në kuadër të programit Erasmus+, me bazë në Universitetin e Lubjanës.
Gjithashtu, këtë vit Universiteti i Lubjanës ka vendosur programin Materiale dhe Metalurgji si prioritet, duke zgjeruar projektin Erasmus+ deri në vitin 2029, çka do të mundësojë mbulimin e të gjitha kostove për rreth 50 mobilitete të reja, duke e çuar numrin total në 85 mobilitete.
Ky angazhim dhe bashkëpunim përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe avancimin akademik të programit Materiale dhe Metalurgji të të dy universiteteve.
