Stafi Akademik dhe Studentët e Fakultetit Ekonomik marrin pjesë në Green Finance Day 2025
Studentët e Fakultetit Ekonomik, të shoqëruar nga profesorët Ajtene Avdullahi dhe Besart Hajrizi, morën pjesë në Green Finance Day 2025, e cila u mbajt më 5 dhjetor në Insta Innovation Center.
Ngjarja solli së bashku liderë financiarë dhe institucionalë për të diskutuar tema kyçe si: financimi i tranzicionit të gjelbër dhe ndikimi i tij në ekonomi dhe komunitet, kreditë e gjelbra, garancitë dhe blended finance, infrastrukturat e qëndrueshme dhe ndërtimet e dekarbonizuara, menaxhimi i riskut klimatik dhe standardet ESG si dhe financimin inovativ për SME-të dhe projektet e mëdha.
Në hapje, pjesëmarrësit u përshëndetën nga Eric Dietz, Shef i Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim të qëndrueshëm.
Paneli kryesor mblodhi ekspertë nga IFC, EBRD, ProCredit Bank Kosova dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, të cilët diskutuan hapur mbi sfidat dhe rrugët e reja të financimit të gjelbër. Më pas, një sesion i posaçëm diskutimi me Bersant Disha – Drejtor Gjeneral i Recura Financials dhe Mentor Pllana – Drejtor Gjeneral dhe Themeluesi i Pllana Capital, InstaBuilt dhe Cherry Communities, solli reflektime mbi vizionin, pengesat dhe hapat praktikë për tranzicionin e gjelbër. Ngjarja u pasurua me një performancë të bukur nga Melisa Ibrahimi, pianiste me çmime ndërkombëtare, dhe me kontributin e Shkollës së Muzikës së Mitrovicës me rastin e 70-vjetorit të themelimit të saj.
Pjesëmarrja e stafit dhe studentëve tanë në këtë aktivitet shënoi një mundësi të rëndësishme për të ndjekur zhvillimet ndërkombëtare në financat e gjelbra dhe për të forcuar bashkëpunimin akademik me institucionet dhe industrinë.




