J

Takim zyrtar i menaxhmentit të Fakultetit Juridik të UIBM-së me ish-studentët

Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për forcimin e bashkëpunimit me ish-studentët, Fakulteti Juridik i UIBM-së ka organizuar sot një takim zyrtar me alumnit e tij. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi arritjet profesionale dhe akademike të ish-studentëve, si dhe mbledhja e rekomandimeve të tyre për avancimin e mëtejmë të cilësisë së fakultetit dhe përafrimin e programeve studimore me kërkesat bashkëkohore të tregut të punës.

Gjatë takimit, ish-studentët vlerësuan lart angazhimin e suksesshëm të studentëve në praktikën profesionale dhe theksuan cilësinë e kurrikulës së programit studimor. Njëkohësisht, ata propozuan pasurimin e programit me lëndë shtesë, si E Drejta Sendore, si dhe zgjerimin e tematikave nga fusha e Së Drejtës Kibernetike, duke e konsideruar këtë të fundit si një domosdoshmëri në zhvillimet aktuale juridike.

Ish-studentët theksuan se studimet në Fakultetin Juridik të UIBM-së u kanë ofruar përfitime të konsiderueshme akademike dhe profesionale, duke u mundësuar avancim të suksesshëm në grada shkencore, si dhe vazhdimin e studimeve në universitete të tjera prestigjioze. Ata vlerësuan veçanërisht njohuritë e fituara gjatë studimeve, trajnimet profesionale, si dhe organizimin e gjykimeve të simuluara, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar. Këto aktivitete, sipas tyre, kanë kontribuar ndjeshëm në përgatitjen e tyre profesionale dhe në përfaqësimin dinjitoz përballë ekspertëve ndërkombëtarë, duke i bërë konkurrues në aplikimet për studime dhe programe jashtë vendit.

Menaxhmenti i Fakultetit Juridik, i përbërë nga Dekani Prof. Dr. Islam Qerimi, Prodekani për Marrëdhënie Ndërkombëtare Prof. Asoc. Dr. Arbnor Ajeti, si dhe Shefi i Departamentit Prof. Asoc. Dr. Besnik Murati, i përgëzoi ish-studentët për sukseset e tyre të vazhdueshme dhe i falënderoi për bashkëpunimin konstruktiv dhe kontributin e çmuar në përmirësimin e performancës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Fakultetit Juridik.

Shperndaj ne: