Studentët e FTU – së realizuan një vizitë studimore në kompaninë M&Sillosi në Rahovec
Studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, në kuadër të lëndëve “Proceset në Industrinë Ushqimore” dhe “Inxhinieri Ushqimore” nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, realizuan një vizitë studimore në kompaninë M&Sillosi në Rahovec. Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me procesin e përpunimit të grurit, duke përfshirë fazat kryesore të pranimit, pastrimit, bluarjes dhe transformimit të tij në miell. Kjo përvojë praktike u mundësoi atyre të lidhin njohuritë teorike me aplikimin konkret në industri, si dhe të kuptojnë rëndësinë e kontrollit të cilësisë dhe teknologjisë moderne në prodhim.
Studentët u shoqëruan nga Prof. Ass. Dafina Llugaxhiu dhe asistentja Eldina Latifi, të cilat kontribuuan në orientimin dhe thellimin e diskutimeve profesionale gjatë vizitës. Gjithashtu, në kompani studentët u pritën nga ish-studenti i universitetit, Blend Broci, i cili aktualisht është i punësuar në rolin e teknologut në këtë kompani, duke ndarë përvojën e tij profesionale dhe duke motivuar studentët për zhvillimin e tyre në fushën e industrisë ushqimore.
Në këtë vizitë ishin pjesë edhe tri studente, të cilat po zhvillojnë praktikën profesionale në kuadër të shkëmbimeve Erasmus nga Savonia University of Applied Sciences, duke e bërë këtë aktivitet edhe më të pasur në aspektin ndërkombëtar dhe bashkëpunues.
