J2

Ligjëratë e hapur për analizën grafologjike në Fakultetin Juridik

Me ftesë të Dekanit të Fakultetit Juridik të UIBM-it dhe profesorit të lëndës së Kriminalistikës, Prof. dr. Islam Qerimi, u mbajt një ligjëratë e hapur nga eksperti gjyqësor Dr. sc. Milazim Tahirukaj me temë: “Analiza dhe Identifikimi Grafologjik i Nënshkrimeve dhe Dorëshkrimeve – Ndikimi në Sistemin e Drejtësisë”.

Kjo ligjëratë paraqiti një mundësi të vlefshme për studentët që të thellojnë njohuritë e tyre në një nga fushat më të rëndësishme të ekspertizës forenzike dokumentare. Përmes një qasjeje të kombinuar teorike dhe praktike, Dr. Tahirukaj solli në vëmendje rëndësinë e analizës grafologjike si instrument kyç për identifikimin e autorësisë dhe verifikimin e autenticitetit të dokumenteve në procedurat gjyqësore.

Duke u bazuar në përvojën e tij të gjatë si ekspert gjyqësor, ligjëruesi shpjegoi se çdo individ posedon një stil unik të të shkruarit, i cili karakterizohet nga elemente të dallueshme si forma e shkronjave, presioni mbi letër, ritmi i shkrimit dhe lidhjet ndërmjet shkronjave. Këto karakteristika, të cilat janë relativisht të qëndrueshme dhe vështirë të imitueshme, përbëjnë bazën për zbulimin e falsifikimeve dhe identifikimin e autorësisë.

Gjatë ligjëratës u trajtuan gjithashtu metodat konkrete të analizës forenzike, duke përfshirë ekzaminimin mikroskopik të dokumenteve, analizën e linjës së shkrimit dhe elementeve individuale grafike. Një theks i veçantë iu kushtua edhe ndikimit të faktorëve të ndryshëm, si gjendja emocionale, mosha dhe gjendja shëndetësore, në ndryshimet e shkrimit, duke e bërë këtë proces analizues edhe më kompleks dhe duke kërkuar ekspertizë të lartë profesionale.

Si ekspert me përvojë të konsiderueshme në trajtimin e rasteve gjyqësore, Dr. Tahirukaj ndau me studentët shembuj praktikë dhe përvoja konkrete nga puna e tij, duke dëshmuar rëndësinë që ka kjo fushë në zgjidhjen e çështjeve penale dhe civile, përfshirë rastet e falsifikimeve, mashtrimeve financiare dhe kontesteve kontraktuale. Ai theksoi se raportet e ekspertëve grafologjikë përbëjnë prova me peshë në vendimmarrjen e gjykatave dhe duhet të bazohen gjithmonë në metoda shkencore dhe standarde ndërkombëtare.

Përveç angazhimit të tij praktik, Dr. Tahirukaj vlerësohet për kontributin e vazhdueshëm në avancimin e dijes profesionale përmes ligjëratave dhe bashkëpunimeve akademike, duke ndarë përvojën e tij me brezat e rinj të juristëve.

Fakulteti Juridik i UIBM-it shpreh mirënjohjen e tij për kontributin e çmuar të Dr. sc. Milazim Tahirukaj, duke theksuar rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla që lidhin teorinë me praktikën dhe përgatisin studentët për sfidat reale të profesionit juridik.

 

J1
Shperndaj ne: