“Prishtina Rea” ofron mundësi bashkëpunimi për UIBM në kuadër të EIT Food
Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr. Nurten Deva, e shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof.dr, Mensur Kelmendi dhe prof.dr. Valdet Gjinovci, kanë pritur në takim koordinatorin e Prishtina Rea, Ahmet Jetullahu. Në takim u diskutua konkretisht për bashkëpunim me UIBM dhe FTU në kuadër të EIT Food – pjesë e Institutit Evropian të Inovacionit dhe Teknologjisë.
Ahmet Jetullahu nga “Prishtina REA” tha se është kontaktuar së fundmi drejtpërdrejt nga menaxheri i Partneriteteve dhe Ekosistemit në EIT Food, lidhur me thirrjen për pjesëmarrës që do të zbatojnë programin “EIT Food Accelerator Network” (FAN) për periudhën 2027-2028. “Aktualisht është duke u përgatitur një aplikim në kuadër të fushës tematike “Zgjidhje Rrethore për Sistemet Ushqimore” (Circular Solutions for Food Systems), me ambicien për të krijuar një qendër (Hub) të rrjetit EIT Food Accelerator Network (FAN) me bazë në Kosovë”.
Sipas tij, FAN është një program dyvjeçar për përshpejtimin e zhvillimit të bizneseve të reja (startupeve) brenda rrjetit evropian EIT Food. “Ajo do të identifikonte dhe mbështeste startupet premtuese në sektorin agro-ushqimor dhe të teknologjisë ushqimore përmes mentorimit, validimit të teknologjisë dhe tregut, zhvillimit të biznesit, përgatitjes për investitorë, lidhjeve me kompani dhe organizata kërkimore, si dhe qasjes në tregjet dhe rrjetet evropiane”, tha ai.
Rektorja Deva e falënderoi për interesimin dhe mundësinë e ofruar për bashkëpunim në kuadër të këtij projekti me interes për industrinë ushqimore. Ndërsa dekani Kelmendi ofroi mbështetje mbi mundësinë e zhvillimit të këtij projekti me interes për Universitetin dhe Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore.
