Filloi programi pesëditor i trajnimit për stafin akademik në kuadër të projektit WeB-Nimbus
Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë ka filluar të hënën “Programi pesëditor për ngritjen e kapaciteteve dhe trajnimin e stafit akademik”, organizuar në kuadër të projektit WeB-Nimbus. Në trajnim po marrin pjesë stafi akademik dhe përfaqësues nga UIBM, Kolegji IBCM dhe Kolegji Universum, ndërsa aktivitetet po zhvillohen në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të projektit.
Në hapje, koordinatori i projektit WeB-Nimbus në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Prof. Dr. Faton Merovci, përshëndeti të pranishmit dhe u uroi mirëseardhje pjesëmarrësve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Më pas, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë përshëndetëse rektorja e UIBM, Prof. Dr. Nurten Deva, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të ngritjes së kapaciteteve akademike.
Gjatë ditës së parë, ligjëratat dhe aktivitetet trajnuese u zhvilluan nga Yorghos Voutos, nga University of West Attica, Greqi, dhe Konstantina Androutsopoulou, nga Metropolitan College, Greqi. Gjatë ditëve në vijim, programit do t’i bashkohen edhe Aline Ramos Esperidião, nga Ramon Llull University, Spanjë, si dhe Manuel Oliveira, nga University of Aveiro, Portugali, të cilët do të kontribuojnë me ligjërata dhe aktivitete profesionale në kuadër të programit.
Ky trajnim është pjesë e përgatitjeve për zbatimin e programit të ri Master “Cloud & Edge Computing”, i cili do të fillojë në tetor. Programi i trajnimit është konceptuar si një Five-day Train-the-Trainers Programme, ndërsa Masteri është i nivelit EQF 7, me 120 ECTS.
Gjatë pesë ditëve, pjesëmarrësit do të punojnë në tema që lidhen me metodologjinë e mësimdhënies, zhvillimin dhe realizimin e ligjëratave dhe laboratorëve, Cloud dhe Edge Computing, Data Science dhe Inteligjencën Artificiale, sigurinë dhe qeverisjen e sistemeve, mësimin online, vlerësimin e studentëve dhe bashkëpunimin me industrinë.
Programi synon që stafi akademik i institucioneve partnere të përgatitet për zbatimin cilësor të kurrikulës së re dhe për ofrimin e një programi modern të studimeve Master në fushën e Cloud & Edge Computing.





