L1

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë merr pjesë në Simpoziumin Final të projektit LEADALKO në Tiranë

Më 12 tetor 2026, në ambientet e Europe House në Tiranë, u mbajt Simpoziumi Final me temën “Zhvillimi i Lidershipit në Arsimin e Lartë: Nga Rezultatet e Projektit drejt Ndikimit të Qëndrueshëm”, në kuadër të projektit LEADALKO – “Zhvillimi i Kapaciteteve të Lidershipit në Arsimin e Lartë në Shqipëri dhe Kosovë”, i financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve partnere të projektit, ekspertë të arsimit të lartë, drejtues universitarë dhe profesionistë të fushës, të cilët diskutuan mbi zhvillimin e lidershipit, qeverisjen institucionale, reformat në politikat e arsimit të lartë dhe qëndrueshmërinë e rezultateve të projektit në Shqipëri dhe Kosovë.

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) u përfaqësua nga një delegacion akademik dhe administrativ, pjesë e të cilit ishin Prof. Assoc. Dr. Filloreta Kunoviku Demiri nga Fakulteti Ekonomik, koordinatore aktuale e projektit LEADALKO nga UIBM, Prof. Assoc. Dr. Zahir Cerkini nga Fakulteti Juridik, Prof. Dr. Zarife Bajraktari nga Fakulteti i Gjeoshkencave, si dhe Burim Hasani, drejtor i Buxhetit dhe Financave në UIBM. Pjesëmarrëse në simpozium ishte edhe Prof. Assoc. Dr. Merita Shala, si ish-koordinatore e projektit LEADALKO për UIBM.

Një rol të veçantë në organizimin dhe zhvillimin e simpoziumit pati Prof. Assoc. Dr. Filloreta Kunoviku Demiri, e cila drejtoi sesionin e panelit të nivelit të lartë me temën “Lidershipi, Qeverisja dhe Reforma e Politikave në Arsimin e Lartë”. Paneli mblodhi ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë nga vendet partnere për të diskutuar sfidat aktuale dhe perspektivat e zhvillimit të lidershipit universitar, përmirësimin e qeverisjes dhe avancimin e reformave në sektorin e arsimit të lartë.

Programi i simpoziumit përfshiu fjalime kryesore nga ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, diskutime mbi lidershipin dhe reformat institucionale, si dhe prezantimin e projekteve të ndryshimit institucional të zhvilluara në kuadër të LEADALKO-s. Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua gjithashtu angazhimeve institucionale për qëndrueshmërinë e rezultateve, ku partnerët prezantuan mënyrat se si do të vazhdojnë t’i zbatojnë dhe t’i integrojnë rezultatet e projektit në praktikat dhe strategjitë e tyre institucionale edhe pas përfundimit të tij.

Pjesëmarrja e Universitetit “Isa Boletini” në këtë simpozium përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet institucioneve partnere, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e kapaciteteve drejtuese në arsimin e lartë. Përmes angazhimit të stafit akademik dhe administrativ, UIBM riafirmon përkushtimin e tij ndaj zhvillimit institucional, përmirësimit të qeverisjes universitare dhe promovimit të një lidershipi efektiv, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Shperndaj ne: