Bashkëligjëratë Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik
Fakulteti Juridik i Universitetit Isa Boletini në Mitrovicë organizoi një bashkëligjëratë ndërkombëtare në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin Juridik të Universitetit të Këlnit. Në këtë aktivitet, profesorët Anja Schiemann dhe Islam Qerimi zhvilluan një ligjëratë krahasimore mbi procedurën penale gjermane dhe kosovare. Ligjërata trajtoi historikun, objektivat, burimet e së drejtës penale, strukturën dhe parimet themelore të procedurës penale në Gjermani, duke u fokusuar gjithashtu në respektimin e të drejtave themelore dhe balancën mes drejtësisë dhe sigurisë juridike.
Në pjesën e dytë, u diskutua procedura penale në Kosovë, duke theksuar rolin e prokurorit të shtetit, parimet e ndjekjes dhe rëndësinë e respektimit të dispozitave ligjore dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut. Për më tepër, ligjërata e Procedurës Penale të Avansuar përfshinte edhe një aspekt krahasimor të procedurës penale kosovare me atë të Bashkimit Evropian, duke qenë e paraparë sipas kurikulës së programit të Fakultetit Juridik për semestrin aktual.
Studentët shprehën interesim të veçantë për ligjëratën krahasimore, duke theksuar rëndësinë e saj për kuptimin e praktikave dhe parimeve të ndryshme juridike në kontekst ndërkombëtar.
Kjo bashkëligjëratë përfaqëson një hap të rëndësishëm për Fakultetin Juridik të UIBM drejt thellimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe zhvillimit të perspektivave krahasimore në fushën e së drejtës penale.
