J2

Ligjëratë e përbashkët ndërkombëtare në Fakultetin Juridik

Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë organizoi një ligjëratë të përbashkët akademike me temë “Sigurimi i provave në veprat penale kundër integritetit seksual – një krahasim juridiko-penal dhe kriminalistik ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës”, e mbajtur nga Prof. dr. Anja Schiemann, nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Këlnit, dhe Prof. dr. Islam Qerimi, nga Fakulteti Juridik i UIBM-së.

Kjo ligjëratë u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe kishte për qëllim analizimin e kornizës ligjore dhe praktikave kriminalistike të sigurimit të provave në rastet e veprave penale kundër integritetit seksual, duke krahasuar sistemin juridik të Gjermanisë me atë të Republikës së Kosovës.

Në pjesën e parë të ligjëratës, Prof. dr. Anja Schiemann prezantoi përvojën dhe bazën ligjore të Gjermanisë lidhur me sigurimin e provave në veprat penale seksuale. Ajo theksoi se sigurimi i provave në këto raste, në aspektin procedural, në parim nuk ndryshon nga sigurimi i provave në veprat e tjera penale, megjithatë ekzistojnë dispozita specifike që garantojnë mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit të personave të përfshirë në procedurë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua ekzaminimit trupor, mbledhjes së gjurmëve biologjike dhe analizave molekulargjenetike, veçanërisht analizës së ADN-së, si dhe sfidave që paraqiten në praktikën hetimore.

U theksua se në shumë raste të veprave penale seksuale mungojnë dëshmitarët, dhe për këtë arsye dëshmia e viktimës shpesh paraqet provën kryesore në procedurën penale. Megjithatë, sigurimi profesional i gjurmëve biologjike, dokumentimi i lëndimeve dhe ekzaminimi mjeko-ligjor janë elemente kyçe për zbardhjen e së vërtetës dhe për sigurimin e provave të besueshme në procesin gjyqësor.

Po ashtu u diskutua edhe praktika e sigurimit anonim të provave në Gjermani, e cila u mundëson viktimave të veprave seksuale që të ruajnë gjurmët dhe provat pa paraqitur menjëherë kallëzim penal, duke lënë të hapur mundësinë që këto prova të përdoren në një procedurë të mëvonshme penale.

Në pjesën e dytë të ligjëratës, Prof. dr. Islam Qerimi prezantoi një analizë të veprave penale kundër integritetit seksual sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Ai theksoi se veprat penale seksuale konsiderohen ndër veprat më të ndjeshme dhe më komplekse në sistemin penal, pasi sigurimi i provave në këto raste shpesh paraqet vështirësi të konsiderueshme.

Sipas tij, këto vështirësi lidhen kryesisht me mungesën e dëshmitarëve, traumën psikologjike të viktimës, raportimin e vonuar të veprës penale, si dhe me faktorë socialë si stigma shoqërore dhe frika nga hakmarrja. Për këtë arsye, mbledhja profesionale dhe e standardizuar e provave është thelbësore për garantimin e drejtësisë dhe për ndjekjen efektive të autorëve të këtyre veprave.

Në këtë kontekst u theksua rëndësia e ekzaminimit të menjëhershëm mjekësor dhe forenzik të viktimës, i cili përfshin dokumentimin e lëndimeve dhe mbledhjen e gjurmëve biologjike. Mostrat që mund të sigurohen në këto raste përfshijnë gjak, spermë, flokë dhe qeliza të lëkurës, ndërsa këto procedura realizohen nga ekspertë mjeko-ligjorë në përputhje me standardet profesionale dhe shkencore.

Prof. Qerimi theksoi gjithashtu rolin qendror të prokurorit në fazën e hetimeve. Prokurori udhëheq hetimet, urdhëron mbledhjen e provave, siguron ligjshmërinë e procedurës dhe mbron të drejtat e viktimës. Në këtë kuadër, ai mund të kërkojë kryerjen e ekspertizave përkatëse, bastisje dhe veprime të tjera hetimore që janë të domosdoshme për zbardhjen e rastit.

Një element i rëndësishëm në procedurë është edhe deklarata e viktimës, e cila shpesh paraqet një nga provat kryesore në këto raste. Për këtë arsye, marrja në pyetje duhet të kryhet me ndjeshmëri të veçantë dhe nga hetues të trajnuar profesionalisht, duke shmangur intervistimin e përsëritur që mund të shkaktojë viktimizim të dytë. Në raste të caktuara mund të përfshihet edhe një psikolog, ndërsa intervistat mund të regjistrohen audio-vizualisht për të ruajtur integritetin e deklaratës.

Në kuadër të mbrojtjes së viktimave dhe dëshmitarëve, legjislacioni i Republikës së Kosovës parashikon masa të veçanta për mbrojtjen e identitetit dhe privatësisë së viktimës. Këto masa përfshijnë zhvillimin e seancave gjyqësore të mbyllura, mbrojtjen e të dhënave personale dhe ndalimin e publikimit të informacioneve që mund të çojnë në identifikimin e viktimës.

Nga aspekti kriminalistik dhe procedural, provat që mund të përdoren në këto raste përfshijnë prova mjekësore dhe forenzike, prova biologjike përmes analizës së ADN-së, veshmbathjen dhe gjurmët fizike të gjetura në vendin e ngjarjes, provat digjitale, deklaratat e dëshmitarëve si dhe raportet e ekspertëve.

Në përfundim të ligjëratës u theksua se sigurimi i provave në veprat penale kundër integritetit seksual kërkon një kombinim të profesionalizmit të lartë dhe ndjeshmërisë së veçantë ndaj viktimës. Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës ofron garanci të rëndësishme procedurale për mbledhjen dhe administrimin e provave, ndërsa bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet policisë, prokurorisë dhe ekspertëve mjeko-ligjorë është thelbësor për hetimin dhe ndjekjen efektive të këtyre veprave penale.

Kjo ligjëratë paraqiti një mundësi të rëndësishme për studentët e Fakultetit Juridik që të njihen me përvojat ndërkombëtare dhe praktikat bashkëkohore në fushën e të drejtës penale dhe kriminalistikës, duke kontribuar në avancimin e dijes shkencore dhe në forcimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet institucioneve universitare.

J1
Shperndaj ne: