Picture1

Dekani i Fakultetit Juridik, Qerimi, ndan mirënjohje për stafin administrativ

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. dr. Islam Qerimi, ka ndarë mirënjohje për stafin administrativ dhe bashkëpunëtorët e Fakultetit, në shenjë falënderimi për kontributin e tyre të çmuar në procesin e riakreditimit të programit baçelor të Fakultetit Juridik. Ky gjest vlerësimi erdhi si shprehje e mirënjohjes për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë të gjithë procesit të rëndësishëm institucional.

Në një ceremoni të mbajtur së fundmi, Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. dr. Islam Qerimi, ndau mirënjohje për stafin administrativ dhe bashkëpunëtorët e angazhuar në procesin e riakreditimit të programit baçelor në drejtësi. Këto mirënjohje vijnë si shenjë vlerësimi për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë përmbushjes së rekomandimeve të planit të përmirësimit për periudhën 1 tetor 2024 – 31 mars 2025.

Në kuadër të kësaj nisme, Dekani Qerimi ndau mirënjohjet e para për sekretaren e Fakultetit, znj. Bahrie Sadiku, dhe për zyrtaren administrative, znj. Suzana Halilaj, për kontributin e tyre të veçantë në implementimin e planit të përmirësimit të programit juridik.

Mirënjohje u ndanë gjithashtu për znj. Blerta Gashi, Zyrtare për Shërbime Studentore në Fakultetin e Edukimit, për bashkëpunimin e ngushtë dhe efikas ndërmjet zyrave për shërbime studentore të dy njësive akademike, si dhe për znj. Natyra Misini, Zyrtare për Sigurimin e Cilësisë në UIBM, për kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Juridik dhe Zyrës për Sigurimin e Cilësisë.

Me këtë rast, Dekani Qerimi falënderoi të gjithë stafin administrativ të Fakultetit dhe atë të UIBM për angazhimin e tyre të palodhshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme në garantimin e cilësisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të programit të studimeve juridike.

Ky veprim është pjesë e një qasjeje më të gjerë të vlerësimit dhe motivimit të stafit administrativ, duke njohur rolin e rëndësishëm që ata luajnë në përmbushjen e standardeve të akreditimit dhe avancimin institucional të Fakultetit Juridik.

Shperndaj ne: