Këshilli i Fakultetit Juridik ndan mirënjohje për menaxhmentin e Fakultetit
Në emër të Këshillit të Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. asoc. dr. Besnik Murati, sot, më 10 prill 2025, ndau Certifikatat e Mirënjohjes për Dekanin e Fakultetit, Prof. Dr. Islam Qerimi, dhe për Prodekanin për Cilësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. ass. dr. Arbnor Ajeti. Këshilli i Fakultetit, në mbledhjen e mbajtur më 25 mars 2025, ka marrë vendim për të ndarë mirënjohje për Dekanin e Fakultetit Juridik të UIBM-it, Prof. dr. Islam Qerimi, si dhe për Prodekanin për Cilësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të këtij Fakulteti, Prof. ass. dr. Arbnor Ajeti, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe kompetent në menaxhimin dhe implementimin e rekomandimeve të ekspertëve të jashtëm, në kuadër të planit përmirësues të programit juridik.
Këshilli ka vendosur të ndajë këto mirënjohje për të dëshmuar një shembull të shkëlqyer për zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë në programin e Fakultetit Juridik. Gjatë këtij momenti, Dekani Qerimi dhe Prodekani Ajeti falënderuan Profesorin Murati për ndarjen e këtyre mirënjohjeve, duke shprehur mirënjohje për vlerësimin e bërë nga Këshilli i Fakultetit Juridik.
Ata theksuan se ishte një privilegj të punonin së bashku me anëtarët e këtij Këshilli, i cili përfaqësohet nga menaxhmenti, stafi akademik dhe administrativ, si dhe përfaqësuesit e studentëve të Fakultetit. Ata gjithashtu shprehen mirënjohës për vlerësimin në këtë nivel, veçanërisht nga profesori Zahir Çerkini, i cili ka një përvojë të pakontestueshme në procesin e menaxhimit të cilësisë në Fakultet dhe në Universitet.
Ata shtuan se ky çmim ka një kuptim të veçantë, pasi nënvizon angazhimin e tyre të pandërprerë për të ruajtur dhe promovuar imazhin e shkëlqyer të Fakultetit, si në nivelin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

