Drejtësia Tranzicionale dhe Diskursi Publik në Kosovë – Ligjëratë e Hapur në Fakultetin Juridik
Në bashkëorganizim me dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, prof. dr. Islam Qerimi, sot u mbajt një ligjëratë e hapur me temë “Drejtësia Tranzicionale dhe Diskursi Publik në Kosovë”, e cila ngjalli interesim të jashtëzakonshëm tek studentët e këtij fakulteti.
Folëse në këtë ligjëratë ishte gazetarja e njohur hulumtuese Serbeze Haxhiaj, e cila prej vitesh mbulon me profesionalizëm çështjet që lidhen me ballafaqimin me të kaluarën, drejtësinë tranzicionale dhe proceset e pajtimit shoqëror. Gjatë prezantimit të saj, znj. Haxhiaj ndau me studentët përvojat e shumta nga terreni, veçanërisht në lidhje me hulumtimin e krimeve të luftës, sfidat e raportimit medial dhe rolin e diskursit publik në trajtimin e së kaluarës.
Ajo elaboroi konceptin normativ të drejtësisë tranzicionale, rëndësinë e kodifikimit të saj dhe funksionimin e mekanizmave kyç që synojnë vendosjen e paqes dhe drejtësisë në shoqëritë post-konfliktuale. Studentët patën mundësinë të shtronin pyetje dhe të zhvillonin diskutime të hapura, duke reflektuar interesimin e lartë dhe rëndësinë e temës në formimin e tyre profesional dhe akademik.
Znj. Haxhiaj aktualisht është redaktore e lajmeve në Radio Televizionin e Kosovës dhe hulumtuese në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese. Karriera e saj e pasur përfshin raportime mbi të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë, ekstremizmin fetar, terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet e luftës. Ajo ka punuar më herët në disa media të njohura vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Rilindja, Zëri, Lajm, Koha Ditore, si dhe ka kontribuar me artikuj në The Financial Times, Der Standard, Neue Zürcher Zeitung, Voice of America, World Politics Review, Al Jazeera, e të tjera. Për punën e saj të çmuar, ajo është vlerësuar me 19 çmime nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, ndër to edhe Çmimin e BE-së për Gazetari Hulumtuese (2020)..
Interesimi i madh i studentëve dëshmoi edhe një herë rëndësinë e temave që trajtojnë drejtësinë, të vërtetën dhe ndërtimin e paqes, duke e bërë këtë ligjëratë një kontribut të çmuar në formimin e tyre profesional.

