UIBM mirëpret Profesoren Ellen L. Yee për projektin ndërkombëtarizues të Fakultetit Juridik në kuadër të Fulbright Specialist Program
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) ka kënaqësinë të njoftojë se Prof. Ellen L. Yee nga Drake University School of Law në SHBA është përzgjedhur fituese e çmimit prestigjioz Fulbright Specialist Award, për të zbatuar një projekt të rëndësishëm zhvillimor në Fakultetin Juridik të UIBM-së. Programi Fulbright Specialist, i përkrahur nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, synon shkëmbimin e njohurive, ngritjen e kapaciteteve dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme ndërmjet institucioneve akademike në SHBA dhe mbarë botën.
Projekti “Internationalizing UIBM’s Legal Curriculum for Impact” ka për qëllim modernizimin dhe ndërkombëtarizimin e programit Bachelor në Drejtësi, duke e përafruar atë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Projekti fokusohet në:
- integrimin e perspektivave ndërkombëtare dhe krahasuese të së drejtës në syllabuset ekzistuese;
- forcimin e kapaciteteve të stafit akademik në mësimdhënie bashkëkohore dhe metodologji hibride;
- përgatitjen e kursit model të përditësuar sipas praktikave të avancuara globale;
- ndërtimin e një pakete të qëndrueshme burimore për mësimdhënie dhe akreditim.
Prof. Ellen L. Yee është Profesore e së Drejtës dhe Drejtoreshë e Programeve Ndërkombëtare në Drake University Law School. Ajo ka përvojë të gjerë në zhvillimin e programeve juridike ndërkombëtare në mbi katër kontinente dhe është e njohur për ekspertizën e saj në:
- të drejtën ndërkombëtare dhe transnacionale,
- etikën dhe profesionalizmin juridik,
- hartimin dhe reformimin e kurrikulave,
- ndërtimin e partneriteteve institucionale ndërkombëtare.
Koordinimi i përgjithshëm i projektit në UIBM do të udhëhiqet nga Prof.ass.dr. Zahir Çerkini, i cili ka hartuar projektin, ka realizuar aplikimin si dhe do të menaxhojë implementimin e të gjitha fazave. Ai thekson se ky është një moment kyç për Fakultetin Juridik:
“Ky projekt përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për transformimin e mësimdhënies juridike në UIBM dhe forcimin e lidhjeve tona ndërkombëtare. Kontributi i Prof. Yee do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në cilësinë akademike dhe në përgatitjen globale të studentëve tanë”.
Prof. Yee do të qëndrojë në UIBM për një periudhë katërjavore, nga 13.12.2025 deri 16.01.2026, gjatë së cilës do të mbajë trajnime, punëtori, konsultime individuale dhe zhvillim strategjik me stafin akademik dhe administrativ.
