Studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore zhvillojnë produkte inovative nga mollët e papjekura
Studentët e vitit të tretë të programit Bachelor “Teknologji dhe Inxhinieri Ushqimore”, në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, kanë realizuar me sukses një aktivitet praktik laboratorik, duke zhvilluar produkte ushqimore nga mollët e verdha të mbledhura, të njohura si “July fall” (rënia e parakohshme e frutave gjatë verës).
Këto mollë, të cilat bien nga pemët përpara arritjes së pjekurisë së plotë, shpesh mbeten të pashfrytëzuara. Në kuadër të këtij aktiviteti, studentët kishin për detyrë të vlerësonin përshtatshmërinë e tyre si lëndë e parë për përpunim ushqimor dhe të zhvillonin produkte në shkallë laboratorike, ku mollët përbënin përbërësin kryesor.
Si rezultat i punës së tyre kreative dhe përkushtimit gjatë procesit praktik, studentët arritën të realizonin produkte të ndryshme, përfshirë çipsa nga mollët me kanellë dhe cheesecake me krem molle, duke demonstruar mundësitë e shfrytëzimit të kësaj lënde të parë për krijimin e produkteve ushqimore me vlerë të shtuar.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të lëndës Teknologjia e Përpunimit të Pemëve dhe Perimeve e udhëhequr nga Profesor Bahtir Hyseni, ndërsa puna praktike laboratorike u realizua nën mentorimin e asistentes Gonxhe Kajtazi.
Studentët treguan një nivel të shkëlqyer të angazhimit, kreativitetit dhe aftësive praktike, duke arritur të shndërrojnë një lëndë të parë me potencial të kufizuar për konsum të drejtpërdrejtë në produkte ushqimore të gatshme. Përmes këtij aktiviteti, ata patën mundësinë të zbatojnë njohuritë teorike në praktikë, duke u përballur me sfidat e përzgjedhjes së lëndës së parë, formulimit dhe përpunimit të produkteve ushqimore.
Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore vazhdon të mbështesë aktivitete të tilla, të cilat lidhin njohuritë akademike me zbatimin praktik dhe kontribuojnë në përgatitjen e profesionistëve të ardhshëm në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë ushqimore.





