Fakulteti Juridik dhe Lëvizja FOL organizuan panelin “FOL Hapur mbi Qasjen në Drejtësi”!
Në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, u mbajt paneli diskutues “FOL Hapur mbi Qasjen në Drejtësi”, bashkëorganizuar nga Fakulteti Juridik dhe Lëvizja FOL, me mbështetje nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës “Qasja në Drejtësi”, me synim nxitjen e debatit dhe vetëdijesimit mbi rëndësinë dhe sfidat që shoqërojnë qasjen në sistemin e drejtësisë në vend.
Paneli u hap me fjalën përshëndetëse nga Mexhide Demolli Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL, ndërsa Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit, prezantoi “Udhëzuesin Praktik për Qasjen në Drejtësi” – një material informues për qytetarët mbi mënyrën e funksionimit të sistemit gjyqësor në Kosovë. Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe akademisë: Vyrtyte Gërvalla, prokurore në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Leotrim Gashi, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës si dhe prof.dr. Islam Qerimi, dekan i Fakultetit Juridik të UIBM.
Takimi u karakterizua nga një pjesëmarrje e prodekanit, Arbnor Ajeti, profesorëve të Fakultetit Juridik, ndër ta: Halil Bajrami, Mimoza Aliu, Zahir Çerkini dhe Xhemajl Veliqi, si dhe studentëve. Studentët treguan interes të madh duke ngritur pyetje rreth efikasitetit të sistemit të drejtësisë dhe sfidave praktike që hasin qytetarët.



