Fakulteti Juridik i UIBM-së dhe ATRC formalizojnë bashkëpunimin për avancimin e arsimit dhe praktikës juridike
Dekani i Fakultetit Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. dr. Islam Qerimi ka arritur një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi me z. Kushtrim Kaloshi, Drejtor ekzekutiv i Qendrës për Trajnime dhe Burime për Avokim (ATRC) në Prishtinë. Ky Memorandum Bashkëpunimi synon forcimin e lidhjeve institucionale dhe avancimin e përbashkët në fushat e zhvillimit të shoqërisë civile, avokimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, palët do të bashkëpunojnë në ngritjen e kapaciteteve akademike dhe profesionale të studentëve, me theks të veçantë në të drejtat pronësore dhe trashëgimore. Bashkëpunimi përfshin dhurimin dhe shpërndarjen e materialeve hulumtuese, organizimin e ligjëratave, prezantimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta akademike e profesionale, si dhe shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet institucioneve.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillimin profesional të studentëve dhe stafit akademik, duke kontribuar në avancimin e arsimit juridik dhe praktikës profesionale në vend.

