DSC 1151[1]

U mbajt “Dita e Pritjes” me rastin e fillimit të vitit akademik 2026/27

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt të enjten “Dita e Pritjes” për studentët e rinj, me rastin e fillimit të vitit akademik 2026/27. Të pranishëm, përveç studentëve, ishin edhe rektorja me bashkëpunëtorët, anëtarë të KD-së, stafi akademik dhe stafi administrativ.

Rektorja, prof. dr. Nurten Deva, u ka uruar mirëseardhje studentëve të rinj dhe u ka uruar suksese atyre dhe gjithë komunitetit universitar. Gjithashtu, ajo i ka siguruar studentët se do ta kenë mbështetjen e plotë të menaxhmentit.

Deva ua përkujtoi studentëve se 1 Tetori, përveçse shënon fillimin e vitit akademik, ka edhe një simbolikë të veçantë. “Përderisa 1 Tetori për gjeneratat e reja mund të jetë vetëm një datë që ndërlidhet me fillimin e vitit të ri akademik, për shoqërinë dhe vendin tonë mbart një simbolikë të veçantë”, tha ajo, duke përmendur protestat e studentëve shqiptarë në vitin 1997, të cilët kërkonin të ktheheshin në objektet e tyre universitare, prej nga ishin dëbuar me dhunë.

Rektorja theksoi se ata janë gjeneratë me fat, duke qenë se studiojnë në hapësira moderne universitare dhe në shtetin e tyre. “Shteti juaj për shumë gjenerata para jush ishte vetëm ëndërr. Për jetësimin e kësaj që kemi ne sot, në mesin e dëshmorëve kemi edhe shumë studentë, sikur Selman Vojvoda, Mehë Uka, Artim Jashari etj.”

Rektorja Deva tha se Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë është i studentëve. “Salla të reja, kabinete, bursa universitare, kënde rekreacioni, të gjitha janë për ju. Shfrytëzojini këto mundësi, shfrytëzojeni kohën në mënyrë racionale, mos hiqni dorë dhe do t’ia dilni”, përfundoi rektorja, duke uruar për një vit të mbarë akademik.

Në vazhdim, ish-studentja Plotmira Haziraj, tani asistente në UIBM, foli për përvojën dhe rrugëtimin e saj akademik. Në fund, u mbajt edhe një sesion informues për shërbimet ndaj studentëve.

IMG 6666
Shperndaj ne: