Fakulteti Juridik i UIBM-së organizon tryezë shkencore studentore mbi rolin e Kushtetutës në shtet
Më 16 prill 2026, Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë organizoi një tryezë shkencore me pjesëmarrjen e studentëve dhe stafit akademik, e cila u fokusua në temën: “Roli i Kushtetutës në funksionimin e shtetit dhe garantimin e sundimit të ligjit”. Ky aktivitet u realizua në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit për të nxitur debat akademik dhe për të forcuar rolin aktiv të studentëve në trajtimin e çështjeve juridike me rëndësi për shoqërinë.
Aktiviteti u hap nga moderatorja Maida Kabashi, e cila prezantoi qëllimin dhe rëndësinë e organizimit të tryezave të tilla në funksion të zhvillimit të kulturës juridike dhe demokratike. Në vijim, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, mbajti fjalën hyrëse, duke theksuar rëndësinë e Kushtetutës si akti më i lartë juridik, i cili përcakton bazat e organizimit dhe funksionimit të shtetit, si dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve. Ai gjithashtu vuri në pah rëndësinë e reflektimit mbi vlerat kushtetuese dhe sundimin e ligjit.
Pjesa qendrore e tryezës u karakterizua nga prezantime tematike dhe diskutime të strukturuara. Prof. Ass. Dr. Zahir Çerkini trajtoi çështjen e interpretimit kushtetues dhe ndikimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në funksionimin e institucioneve shtetërore, me theks të veçantë në raportet ndërmjet Kuvendit dhe Presidentit. Gjatë këtij sesioni, ai iu përgjigj një sërë pyetjesh të parashtruara nga pjesëmarrësit, duke kontribuar në sqarimin e çështjeve të ndryshme juridike.
Në kuadër të aktivitetit, studenti Adis Zeqiri prezantoi temën “A e kontrollon Kushtetuta pushtetin, apo pushteti e kontrollon Kushtetutën?”, duke nxitur debat dhe reflektim kritik ndër të pranishmit.
Aktiviteti vijoi me një sesion interaktiv diskutimi, ku studentët dhe pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të ndajnë qëndrimet e tyre, duke kontribuar në një shkëmbim të frytshëm idesh dhe në thellimin e njohurive në fushën e së drejtës kushtetuese.
Në përmbyllje të tryezës, Dekani i Fakultetit Juridik falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre, duke veçuar organizatorët e aktivitetit: studentin Adis Zeqiri, si dhe studentet Maida Kabashi dhe Liridona Hyseni. Me këtë rast, u ndanë certifikata për studentët pjesëmarrës, ndërsa studentët ndanë certifikata mirënjohjeje për dekanin, profesorin e së drejtës kushtetuese Zahir Çerkini dhe asistentin Xhemajl Veliqi për mbështetjen e dhënë në realizimin e kësaj tryeze.
Organizimi i kësaj tryeze shkencore dëshmon përkushtimin e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë për promovimin e debatit shkencor, zhvillimin akademik të studentëve dhe fuqizimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
