Nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Ladrovci” nga Drenasi vizitojnë Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore
Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore priti për vizitë një grup nxënësish nga Shkolla e Mesme Profesionale “Fehmi Ladrovci” në Drenas, drejtimi Teknologji Ushqimore, të shoqëruar nga profesori Rexhep Kçina.
Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, të informohen mbi mundësitë e studimit dhe zhvillimit profesional që ofron fakulteti, si dhe të vizitojnë laboratorët ku zhvillohet procesi mësimor dhe kërkimor.
Ata u pritën nga prodekanja Mirsade Osmani, shefja e departamentit, profesoresha Sadija Kadriu, asistentja Gonxhe Kajtazi dhe laboranti Sabri Hajdini, të cilët i informuan nxënësit për programet studimore, aktivitetet akademike dhe mundësitë që ofrohen për studentët e UIBM-së, duke i shoqëruar gjatë gjithë vizitës në ambientet e fakultetit.
Kjo vizitë u vlerësua si një mundësi e mirë për orientimin e nxënësve drejt studimeve universitare dhe njohjen praktike me fushën e teknologjisë ushqimore.
