Fjur 37

Fakulteti Juridik organizoi ligjëratë mbi integrimin e inteligjencës artificiale gjenerative në arsimin e lartë dhe administratën publike

Në kuadër të përpjekjeve për të avancuar cilësinë në arsim dhe për të promovuar përdorimin e teknologjive bashkëkohore në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë po zhvillon aktivitete të ndryshme që synojnë ndërthurjen e arsimit juridik me zhvillimet më të reja në fushën e inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit të institucioneve publike.

Në këtë kuadër, me ftesë të Dekanit të Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, më 03 nëntor 2025 në ambientet e fakultetit u organizua ligjërata me temë: “Integrimi i AI-së Gjenerative në Arsimin e Lartë dhe Administratën Publike: Mundësitë dhe Sfidat”.

Ligjërata u mbajt nga Dhurata Prokshi, kandidate e doktoraturës në Sociologji të OrganizatësInstitutin për Kërkime Sociologjike dhe Politiko-Juridike të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, e cila ndau përvojën e saj të fituar në Universitetin e Varshavës përmes programit Western Balkans–Visegrad Fellowship.

Ky aktivitet kishte për qëllim ndjekjen e trendeve më të avancuara të cilësisë në arsim, duke u mbështetur në zhvillimet e inteligjencës artificiale dhe të teknologjisë informative. Gjatë ligjëratës u trajtua roli i AI-së gjenerative dhe modeleve të mëdha gjuhësore (LLMs) në proceset e digjitalizimit të institucioneve publike dhe akademike, me fokus në potencialin e tyre për përmirësimin e efikasitetit në punën kërkimore dhe administrative. Njëkohësisht, u adresuan edhe sfidat etike që lidhen me përdorimin e këtyre teknologjive në kontekstin e arsimit dhe administratës publike në Kosovë.

Ngjarja u përcoll me interesim të madh nga studentët dhe stafi akademik i Fakultetit Juridik, duke u shndërruar në një diskutim interaktiv dhe frytdhënës. Në përfundim, pjesëmarrësit vlerësuan se ligjërata ofroi informacione të rëndësishme për avancimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe theksuan nevojën për organizimin e trajnimeve të tjera mbi tema të ngjashme bashkëkohore që lidhen me inteligjencën artificiale dhe inovacionin në sektorin publik.

Pas ligjëratës së hapur, dekani Qerimi dhe znj. Prokshi u dakorduan që bashkëpunimi i tillë të vazhdohet edhe me projekte tjera konkrete në fushën e intelegjencës artificiale dhe zbatimin e saj në arsimin e lartë!

 

Shperndaj ne: