Fakulteti Juridik zhvilloi takim me komunitetin ALUMNI për programin e ri master dhe mundësitë e studimit ndërkombëtar
Më 11 qershor 2026, Fakulteti Juridik organizoi një takim virtual me komunitetin ALUMNI, me qëllim të prezantimit dhe diskutimit të propozimit për programin e ri të studimeve master njëvjeçare (60 ECTS), si dhe informimin e ish-studentëve lidhur me një mundësi të re bursimi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Selanikut.
Takimin e hapi Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Islam Qerimi, i cili falënderoi ish-studentët për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në aktivitetet e Fakultetit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin ALUMNI dhe rolin e tyre në zhvillimin e iniciativave të reja akademike.
Në vazhdim, Prof. Ass. Dr. Zahir Çerkini prezantoi konceptin, strukturën dhe objektivat e programit të ri master, duke sqaruar se ai është i fokusuar në fushën e së drejtës publike, me theks të veçantë në të drejtën kushtetuese, të drejtën evropiane dhe proceset integruese. Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit shfaqën interesim të madh për përmbajtjen e programit, procedurat e akreditimit dhe perspektivat akademike që ofron ky program.
Ish-studentët e pranishëm vlerësuan pozitivisht orientimin e programit drejt integrimeve evropiane dhe zhvilluan një diskutim konstruktiv mbi rëndësinë e avancimit të studimeve në fushat e së drejtës publike dhe të drejtës evropiane. Në përgjigjet e tij, Prof. Çerkini theksoi se programi është konceptuar si program akademik dhe shkencor, me lëndë të avancuara dhe të specializuara që adresojnë sfidat bashkëkohore të shtetit, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian.
Në pjesën e dytë të takimit, Dekani Qerimi prezantoi mundësinë e përfitimit të një burse studimore në vlerë prej 3000 eurosh, të ofruar nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Selanikut. Bursa mbulon tarifën e plotë të shkollimit për programin në gjuhën angleze “Master in European Business and Economic Law” dhe është dedikuar për një nga të diplomuarit e Fakultetit Juridik.
Takimi u karakterizua nga diskutime të hapura dhe konstruktive, duke dëshmuar interesimin e komunitetit ALUMNI për zhvillimin e programeve të reja akademike dhe për forcimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Fakultetin Juridik.
