Profi Nga Turqia

Prof. Dr. Melih Geniş nga Universiteti Zonguldak Bülent Ecevit qëndroi për vizitë në UIBM

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë pati kënaqësinë të mirëpresë Prof. Dr. Melih Geniş nga Universitetit Zonguldak Bülent Ecevit, Republika e Turqisë, në kuadër të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve. Gjatë vizitës u zhvilluan diskutime lidhur me mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta shkencore dhe profesionale, shkëmbimin e përvojave dhe njohurive akademike përmes programit Erasmus+, si dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore ndërmjet stafit akademik të të dy universiteteve.

 

Një rëndësi e veçantë iu kushtua krijimit të mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e inxhinierisë minerare, përmes projekteve kërkimore, publikimeve shkencore dhe pjesëmarrjes së përbashkët në konferenca dhe aktivitete ndërkombëtare. Ky bashkëpunim tashmë ka dhënë rezultate konkrete përmes angazhimit të stafit akademik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Në kuadër të bashkëpunimit me Prof. Dr. Melih Geniş, Prof. Asst. Dr. Gzim Ibishi ka prezantuar rezultate të punës kërkimore në Konferencën Nderkombetare te ISRM-së https://eurock2026.com, në Maqedoni si dhe në Kongresin Ndërkombëtar të Qymyrit ICCET https://komurturkiye.org.tr, të organizuar në Zonguldak, Turqi. Këto aktivitete përfaqësojnë një shembull të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në kërkimin shkencor dhe të shkëmbimit të ekspertizës ndërmjet institucioneve akademike.

 

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë e vlerëson këtë bashkëpunim si një mundësi të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve akademike me Universitetin Zonguldak Bülent Ecevit dhe për krijimin e partneriteteve të reja në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional. Profesori Genis, shprehu gatishmërinë për të vazhduar dhe zgjeruar bashkëpunimin përmes projekteve të përbashkëta, mobilitetit akademik në kuadër të Erasmus+ dhe iniciativave të tjera ndërkombëtare.

 

Shperndaj ne: