Fillon bashkëpunimi me Mitchell Hamline School of Law nga Minnesota – Prof.ass.dr. Zahir Çerkini mban ligjëratë për të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës
Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë ka shënuar një moment të rëndësishëm ndërkombëtar duke nisur bashkëpunimin me Mitchell Hamline School of Law nga Minnesota, SHBA.
Në kuadër të kësaj iniciative, Prof.ass.dr. Zahir Çerkini mbajti një ligjëratë të thelluar për studentët e kësaj shkolle të njohur amerikane mbi temën:
“Të drejtat e komuniteteve në kushtetutën e Kosovës – një perspective kushtetuese”.
Ligjërata u zhvillua në Fakultetin Juridik të UIBM dhe nxiti debat dhe interesim të madh nga studentët e huaj, të cilët ishin pjesë e një vizite akademike në Kosovë.
Po ashtu, menaxhmenti i universitetit, Prof.dr. Islam Qerimi – Dekan, dhe, Prof.ass.dr. Arbnor Ajeti – Prodekan, priti në takim zyrtar Prof. Kim Vu-Dinh, Drejtoreshë e Center of Law and Business dhe Drejtoreshë Economic Inclusion Clinic në Mitchell Hamline School of Law ku u diskutua rruga drejt një memorandumi bashkëpunimi, me theks në shkëmbimin akademik të studentëve dhe stafit në të ardhmen.
Ky bashkëpunim do të krijojë mundësi të reja për ndërkombëtarizimin e Fakultetit Juridik dhe rritjen e cilësisë akademike përmes përvojës dhe ekspertizës ndërkombëtare.

