Marrëveshje Bashkëpunimi me “London English School”
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe “London English School” janë dakorduar për bashkëpunim në fusha me interes reciprok. Për specifikimin e fushave me interes të hënën u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi nga rektorja e UIBM, prof.dr. Nurten Deva dhe drejtoresha e “London English School”, Albina Hoti.
Qëllimi i marrëveshjes është vendosja dhe zhvillimi i një bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet UIBM dhe London English School në fushat e edukimit, zhvillimit të kompetencave digjitale, promovimit të gjuhëve të huaja, mbështetjes për studentët si dhe organizimit të përbashkët të ngjarjeve edukative. Gjithashtu janë detajuar edhe fushat e bashkëpunimit, si organizimi i ngjarjeve të përbashkëta edukative si “Tech Fest”, punëtori dhe trajnime në fushën e teknologjisë dhe gjuhëve të huaja, angazhimi i studentëve të UIBM në aktivitete praktike, si moderatorë, mentorë, pjesëmarrës apo vullnetarë, zhvillimi i trajnimeve për aftësi teknike dhe të buta, bashkëpunimi në projekte të përbashkëta lokale dhe ndërkombëtare, ofrimi i 20 bursave për studentët e dalluar të UIBM etj.
Gjithashtu në marrëveshjen e nënshkruar janë përcaktuar edhe detyrimet e palëve. Në këtë kontekst, UIBM do ofrojë hapësira universitare për zhvillimin e aktiviteteve, do të përfshijë studentët dhe stafin akademik në aktivitetet e përbashkëta, do të ndihmojë në përzgjedhjen dhe promovimin e përfituesve të bursave si dhe të promovojë bashkëpunimin në faqet dhe rrjetet zyrtare të Universitetit. Ndërsa “London English School”, do të sigurojë staf profesional dhe certifikime për pjesëmarrësit, do të ofrojë hapësira të nevojshme kur kërkohet nga aktivitete të organizuara bashkërisht, do të bëjë shpalljen dhe përzgjedhjen transparente të bursave në koordinim me Universitetin si dhe do ta promovojë bashkëpunimin përmes kanaleve të veta të komunikimit.

