HISTORIKU I FAKULTETIT JURIDIK

Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë është themeluar më 04.07.2014, me vendimin nr.548/14, datë 04.07.2014, i lëshuar nga Këshilli Shtetëror për Cilësi (KSHC) i Agjencionit të Kosovës për Akreditim, respektivisht me vendimin që përmirëson vendimin paraprak nr 165115, datë 17.03.2015. Fakulteti Juridik, është akredituar me vendimin nr. 548/14, datë 04.07.2014, i lëshuar nga Këshilli Shtetëror për Cilësi (KSHC) i Agjencionit të Kosovës për Akreditim.

Fakulteti Juridik është ri-akredituar me Vendimin nr. 535/2017, datë 06.07.2017 nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, për përiudhën 3 vjeçare. Ndërkohë, me Vendimin nr. 465/18D, të datës 18.05.2018 e Këshillit Shtetëror për Cilësi (KSHC) të Agjencionit të Kosovës për Akreditim, është zgjatur periudha e akreditimit edhe për 1 (një) vit, pra deri me 30 (tridhjetë) shtator 2021, dhe është riakredituar sërish me vendimin nr. 3022/21, datë 12.08.2021, për periudhë tre vjeçare.

Fakulteti Juridik aktualisht është i riakreditiuar me vendimin nr. 1079/24, datë 30.05.2024 nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, për përiudhën 3 vjeçare. Fakulteti Juridik është riakredituar me një kurikulë unike në programin bachelor i është përshtatur specifikave të tregut të rajonit.

Fakulteti Juridik më 19 mars 2025 iu nënshtrua për herë të parë në Kosovë vlerësimit për procedurat pas-akredituese nga një Ekip i Jashtëm Ekspertësh. Ky ekip vlerësoi pozitivisht se, gjatë periudhës tetor 2024 – janar 2025, programi i studimeve LLB, i ofruar nga Fakulteti Juridik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ka ndërmarrë masa konkrete për zbatimin e 17 rekomandimeve. Kjo përbën 62.96% të totalit prej 27 rekomandimeve (të parapara për përiudhën 3 vjeçare 2024 – 2027), të cilat janë përmbushur plotësisht ose pjesërisht.

Në raportin e Ekipit Ekspert për Vlerësimin Pas-Akreditimit, datë 14 prill 2025, për programin e Fakultetit Juridik, përveç shumë gjetjeve pozitive dhe përmbushjes së rekomandimeve sipas planit të përmirësimit nga grupi i ekspertëve gjatë riakreditimit të programit në vitin 2024, janë evidentuar këto përparësi kryesore:

  • Hapur për përmirësim;
  • Menaxhim kompetent dhe shumë i motivuar;
  • Staf akademik dhe administrativ kompetent dhe shumë i motivuar;
  • Infrastrukturë e mire.

Në përgjithësi, vlerësimi pas-akredituar evidenton progres të dukshëm dhe përkushtim të vazhdueshëm drejt avancimit të cilësisë së programit

Bazuar nga domosdoshmëria për organizimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë sipas standardeve dhe kritereve evropiane dhe bashkëkohore, Fakulteti Juridik në kuadër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ka dizajnuar modelin e studimeve dhe programeve të mbështetura në rekomandimet e Deklaratës së Bolonjës. Fakulteti Juridik ka për qëllim të tërheq studentë të cilët janë të gatshëm që t’i dedikojnë të gjitha përpjekjet e tyre ndaj një programi sfidues dhe të marrin përgjegjësi si gjyqëtar, prokurorë, avokatë dhe profesionist tjerë ligjor në të ardhmen. Studimet në këtë program janë të organizuara në një drejtim (Juridik i Përgjithshëm) për 7 (shtatë) semestra, kurse në semestrin e 8 (tetë) duke i lejuar studentët të profilizohen në ndonjërin prej këtyre moduleve:

  • E drejta Publike, si dhe
    • E drejta Private.

Fakulteti Juridik në programin e studimit për edukimin e vazhdueshëm për studentët ka krijuar koncept të qartë në aspektin didaktik dhe kërkimor, duke pasur parasysh se cili është piksynimi i arritjes, nga fillon kjo arritje, si dhe se si do të zhvillohet procesi mesimor dhe cilat janë rezultatet e pritura të procesit mesimor. Ky koncept është i realizueshëm duke u mbështetur në:

  • Rezultatet e pritura të programit;
    • Materialin mësimor;
    • Punën praktike në klinika juridike dhe ushtrimet;
    • Interaktivitetin në mësim dhe ushtrime;
    • Punën grupore në zgjidhjen e rasteve juridike;
    • Mjetet e konkretizimit (librat, projektorët, tabelat etj.,);
    • Testimin dhe evaluimin e vazhdueshëm.

Stafi akademik i rregullt i Fakultetit Juridik është i kualifikuar me gradat shkencore Doktor dhe LLM në fushat përkatëse, dhe përfshin tituj akademikë të ndryshëm: Profesor Doktor (1), Profesor i Asociuar (5), Profesor Asistent (3) dhe Asistent (1). Ky përbërje është në përputhje me kërkesat ligjore të parashikuara për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës. Fakulteti siguron që për çdo 60 kredite të programit ka të punësuar më shumë se dy profesorë me kohë të plotë dhe marrëdhënie të rregullt pune, të cilët mbajnë titullin Doktor (Dr.). Raporti mes mësimdhënësve me kohë të plotë dhe studentëve në Fakultetin Juridik është 1:23, që tregon një përqindje të mirë të përkushtimit individual ndaj studentëve. Gjithashtu, Fakulteti shpall çdo vit konkurse për profesorë dhe asistentë të angazhuar, si dhe për bashkëpunëtorë të jashtëm, me qëllim të zbatimit të plotë të kurrikulës së programit përkatës.

Programi i Fakultetit Juridik ofron shkollim unik për t’i përmbushur nevojat e tregut, veçanërisht për rajonin që mbulon. Ky program shërben për aftësimin e juristëve të rinjë dhe njëkohësisht shërben si qendër e hulumtimit. Bazat e fituara në studimet themelore në ketë program studimi përgatitin kuadro për nevojat e tregut, për akademi, gjyqësor, prokurori, avokati, administratë, noteri, institute hulumtuese, në institucione dhe në ndërmarrje publike dhe private si në vend, rajon por edhe në botën e jashtme, si dhe në procesin arsimor për arsimimin e kuadrove të ardhshme nga fusha e drejtësisë. Poashtu, duke u aftësuar për punë të pavarur hulumtuese, punë në grupe dhe shkathtësi të prezantimit, të hartojnë akte dhe shkresa juridike, si dhe, të përdorin njohuri të avancuara në fushën e drejtësisë, përfshirë qasjen kritike mbi të drejtën dhe parimet e drejtësisë në përgjithësi, të marrin iniciativë per veprimtarite profesionale dhe te ngjashme.

Studentët e diplomuar të Fakulteti Juridik kanë arritur të sigurojnë vendet e para në regjistrimet në programet master jashtë Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, si dhe kanë fituar bursa studimi jashtë vendit. Poashtu, studentët kanë arritur të punësohen, dhe të sigurojnë vende për praktikë profesionale sipas asaj që kërkohet me legjislacionin në fuqi në Kosovë. Sipas anketave nga viti i kaluar mbi të diplomuarit e Fakultetit Juridik, rezulton se nga 90 (nëntëdhjetë) studentë të diplomuar 60.9% e tyre janë punësuar.

Se programi është i suksesshëm, tregon edhe fakti që në garën nacionale për Gjykim të
Simuluar për Fakultetet Juridike të universiteteve publike, organizuar nga USAID-i, studentët e këtij fakulteti dy herë radhazi kanë zënë vendin e parë, me çka tregon gatishmërinë e kuadrove të fakultetit për të kontribuar në shoqërinë kosovare, dhe jo vetëm.

Programi i Fakultetit Juridik brenda kurrikulës së tij përfshinë fushat si:
• e drejta penale,
• e drejta civile,
• e drejta kushtetuese,
• e drejta administrative,
• e drejta ndërkombëtare,
• e drejta financiare, si dhe
• disa lëndë ndërdisiplinare.

Të gjitha këto fusha së bashku kanë një rrjedhë logjike bazuar në dokumentet kombëtare dhe evropiane. Rezultatet e të nxënit në secilën lëndë janë hartuar në përputhje me rezulatet e të nxënit të programit.
Me përfundimin e suksesshëm të studimeve në programin Juridik, studentët do të jenë në gjendje:

  • Të kuptojnë rolin e të drejtës në shoqëri dhe efektin e saj në aspektin social;
    • Të kuptojnë specifikat e secilës fushë të drejtësisë në vend dhe të fitojnë shkathtësi për
    zbatimin e tyre;
    • Të krijojnë aftësi për të diskutuar dhe debatuar në këndvështrime të ndryshme mbi
    problemet ligjore, teoritë dhe doktrinat e caktuara të fushës së drejtësisë;
    • Të komunikojnë në mënyrë efektive nga këndvështrimi juridik;
    • Të shkathtësohen për punë të pavarur hulumtuese, punë në grup dhe shkathtësi të prezantimit;
    • Të hartojnë akte dhe shkresa juridike;
    • Të krahasojnë dhe vlerësojnë sisteme të ndryshme juridike;
    • Të aftësohen për t’u përfshirë në të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke përfshirë trajnimin profesional për profesionin e juristit dhe
    • Të përdorin njohuri të avancuara në fushën e drejtësisë, përfshirë qasjen kritike mbi të drejtën dhe parimet e drejtësisë në përgjithësi.

Fakulteti Juridik ka siguruar një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh bashkëpunimi me institucione të drejtësisë, ku studentët kanë mundësinë të kryejnë praktikën profesionale si pjesë e lëndëve klinike, si dhe si praktikë jashtë-kurrikulare të programit.

Përveç marrëveshjeve të brendshme me institucione lokale, Fakulteti ka arritur të lidhë marrëveshje bashkëpunimi edhe me fakultete juridike të universiteteve nga Bashkimi Evropian. Një numër i konsiderueshëm i profesoreshave kanë marrë pjesë si profesorë vizitorë në këto institucione, duke forcuar lidhjet akademike ndërkombëtare.

Gjithashtu, disa nga profesoret e Fakultetit Juridik kanë ndjekur studime të pasdoktoratës në universitete të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, edhe profesorët nga këto universitete kanë qenë vizitorë në Fakultetin Juridik, duke përmirësuar shkëmbimin akademik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Fakulteti Juridik ka hartuar Planin Strategjik te Kerkimeve Shkencore si dhe ka themeluar Institutin per Studime dhe Hulumtime Juridike dhe Ligjore.

E gjithë infrastruktura dhe burimet e Fakultetit Juridik garantojnë aspekte cilësore të mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke poseduar mjaftueshëm salla mësimi, hapësirë në bibliotekë, mjete teknologjike, kabinete për t’ju përshtatur organizimit të mësimit me grupe të ndryshme të studentëve.

Në kuadër të kampusit të ri universitar, në objektin nr.1 (një) me sipërfaqe të përgjithshme – të brendshme prej 18,028.5 metër katror, për studentët dhe personelin e Fakultetit Juridik do të jenë në shfrytëzim:

  • 8 klasa mësimi;
    • 2 amfiteatro (njëri për 350 studentë kurse një për 140 studentë);
    • Biblioteka së bashku me sallën e leximit dhe sallën e kompjuterëve 660 metër katror (pjesa e leximit me 112 banka dhe 112 karriga – 275 metra katror, pjesa e librave – raftat 334 metra katror, salla e kompjuterëve 60 metra katror – 13 banka dhe 13 karriga);
    • 8 kabinete

Përveç këtyre, ka përfunduar ndërtimi i konvikteve dhe i mensës së studentëve, e inaugurimi i tyre është në mars të vitit 2024. Ndërsa, në vitin 2023 janë ndërtuar disa fusha futbolli, volejbolli dhe elemente përcjellëse reakreative për studentë, dhe tani më ato janë të shfrytëzueshme. Studentët e FJ-së kanë në dispozicion edhe një kënd jashtëzakonisht atraktiv për rekreacion. Këndi për rekreacion, gjendet nën përdhesen e objektit ku janë të vendosura fakultetet. Gjithashtu Fakulteti Juridik ka improvizuar një gjykatore per raste te simuluara, e cila do të ju shërbej studentëve për të parë dhe simuluar proceset gjyqësore. Poashtu, ka improvizuar edhe sallen per punen ne grupe te studenteve. Stafi akademik dhe menaxhmenti i fakultetit organizon hulumtime, konferenca, seminare dhe ligjerata me profesor të huaj për studentët.