Homazhe për akademikun, Minir Dushi
Kolektivi i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë i udhëhequr nga rektorja, prof.dr. Nurten Deva, ka bërë homazhe pranë arkivolit të akademikut, Minir Dushi, i cili ka ndërruar jetë të hënën (27 janar 2025) në moshën 95 -vjeçare. Homazhet janë mbajtur në hollin e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ku kanë qenë të pranishëm familjarët dhe të afërmit e akademikut.
Rektorja Deva, tha se jeta akademike në Mitrovicë është e lidhur ngushtë me emrin e akademikut, Minir Dushi. “Akademik Dushi ka qenë nismëtar dhe drejtues i Shkollës së Lartë Teknike dhe Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë, prej ku kanë dalur gjenerata të tëra me kuadro të përgatitura për industrinë minerare në Kosovë”.
Sipas saj, akademik Dushi mbetet një emër krejt i veçantë në mesin e atyre që kanë kontribuar për zhvillimin e arsimit, shkencës dhe industrisë në vend. “Ai ka qenë shumë i lidhur me Mitrovicën, por edhe mitrovicasit nuk e kanë harruar asnjëherë inxhinierin e parë shqiptar të Trepçës, drejtorin e parë të Shkollës së Lartë Teknike dhe dekanin e parë të Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë”, tha ajo.
Rektorja vuri në vëmendje se në shenjë nderimi dhe respekti, UMIB ka ndarë titullin “Doktor Honoris Causa” për akademik Dushin në 10-vjetorin e themelimit. Gjithashtu akademik Dushi është shpallur edhe “Qytetar nderi i Mitrovicës”.
