1

“Java e Minierave” në UIBM – në fokus rigjallërimi i Kolonisë Angleze si destinacion kulturor dhe turistik

Në kuadër të “Javës së Minierave”, organizuar nga Dhoma Britanike e Tregtisë në Kosovë (BCCK), përmes Komitetit të saj për Miniera, të hënën, aktivitetet u zhvendosen në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku u mbajt një sesion i veçantë me prezantime kushtuar trashëgimisë industriale të “Trepçës” dhe potencialit turistik të rajonit. Në fokus të këtij sesioni ishte “Rigjallërimi i Kolonisë Angleze si destinacion i mundshëm kulturor dhe turistik”, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë historike e industriale të Mitrovicës, si dhe mundësitë për shndërrimin e saj në një vlerë të qëndrueshme kulturore dhe turistike.

Sesioni i  hap me fjalë mirëseardhjeje nga Bekim Kastrati nga CEO i BCCK-së, ndërsa rektorja  e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. dr. Nurten Deva,  foli për rëndësinë e bashkëpunimit të insitucioneve, akademisë dhe industrisë për rivitalizimin e “Trepçës”. Në vazhdim profesori, Muhamedin Hetemi, foli për “Kontributin britanik në zhvillimin e hershëm të “Trepçës” dhe të industrisë minerare”, Viola Ajdini për “Përvojën e trashëgimisë së Trepçës: Rikthimi në jetë i historisë minerare përmes lidhjeve hekurudhore” dhe Lulzim Hoti nga 7 Arte për “Zhvillimin e turizmit të trashëgimisë industriale në Mitrovicë dhe në rajonin më të gjerë të Trepçës”.

“Java e Minierave” është një ngjarje disaditore e sektorit minerar, e cila synon të bashkojë kompanitë minerare, investitorët, kompanitë e kërkim-zbulimit, ofruesit e shërbimeve, politikëbërësit, institucionet qeveritare dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të shqyrtimit të mundësive që ofron sektori minerar i Kosovës.

Programi përfshin vizita në terren në minierat aktive dhe objektet e përpunimit të mineraleve, vizita në lokacionet me potencial për kërkim dhe zhvillim, diskutime në tryeza të rrumbullakëta, si dhe aktivitete të rrjetëzimit. Këto aktivitete synojnë forcimin e dialogut ndërmjet akterëve të sektorit, promovimin e investimeve të përgjegjshme, shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve dhe zhvillimin afatgjatë të industrisë minerare.

2
Shperndaj ne: