IMG 8664

Studentët e UIBM fitojnë vendin e dytë dhe të tretë në Forumin StartLab360

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” ishte pjesë e StartLab360 – Forumit të Inovacionit Rinor, një aktivitet i dedikuar promovimit të inovacionit, ndërmarrësisë dhe zhvillimit të ideve kreative të të rinjve, ku studentët e UIBM-së u prezantuan me dy projekte inovative, duke arritur të fitojnë vendin e dytë dhe të tretë.

Në kuadër të këtij forumi, Prorektori për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë i UIBM-së, Prof. Ass. Dr. Safet Abdullahu, mori pjesë në Panelin II, me temën “Ndërtimi i një ekosistemi për inovacion rinor”, ku kontribuoi në diskutimet lidhur me rolin e universiteteve dhe institucioneve të tjera në krijimin e një mjedisi mbështetës për inovacionin dhe ndërmarrësinë.

Gjatë diskutimit, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, sektorit të biznesit, institucioneve financiare dhe komunave, si parakusht për zhvillimin e ideve inovative dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe modernizimit të programeve studimore dhe integrimit të kompetencave digjitale e ndërmarrëse në arsimin e lartë.

Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e lëndëve si “Sistemet e Informacionit dhe Ndërmarrësia Digjitale” dhe “Kontabiliteti në IT dhe ERP”, të cilat ndërlidhin njohuritë ekonomike me teknologjinë dhe nevojat e tregut modern të punës.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Erzen Isufi, Zyrtar i Lartë për Zhvillim të Karrierës në UIBM, i cili vlerësoi bashkëpunimin me Institutin EduTask dhe rëndësinë e iniciativave të tilla për fuqizimin e studentëve, zhvillimin e aftësive praktike dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndërmjet universitetit dhe partnerëve të jashtëm.

Suksesi i studentëve të UIBM-së ishte një nga rezultatet më të rëndësishme të këtij forumi. Në kuadër të prezantimit të projekteve inovative, dy ekipe studentore të universitetit arritën të vlerësohen me çmime:

● Vendi i dytë – Projekti “Mjeshtri”, i prezantuar nga studentët Gzim Maksuti dhe Leon Suhegerlla.

● Vendi i tretë – Projekti “Mëso dhe Puno”, i prezantuar nga studentët Fjolla Hasani dhe Omer Gucati.

Të dy projektet janë zhvilluar nga studentët gjatë këtij projekti, duke reflektuar kreativitetin, përkushtimin dhe potencialin e tyre për të zhvilluar ide me vlerë praktike dhe ndërmarrëse.

Pjesëmarrja dhe rezultatet e arritura në StartLab360 dëshmojnë përkushtimin e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” për të nxitur inovacionin, ndërmarrësinë dhe zhvillimin e kompetencave të studentëve, duke krijuar hapësira ku idetë e tyre mund të shndërrohen në iniciativa konkrete dhe biznese të qëndrueshme.

Universiteti ka një rol të rëndësishëm jo vetëm në përgatitjen akademike të studentëve, por edhe në kultivimin e një kulture të inovacionit, kreativitetit dhe vetëpunësimit, përmes bashkëpunimit me sektorin e biznesit dhe organizatat që mbështesin zhvillimin e të rinjve.

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” falënderon organizatorët e Institutit EduTask, moderatoren, panelistët dhe të gjithë pjesëmarrësit për diskutimin dhe kontributin e vlefshëm, si dhe për bashkëpunimin në funksion të zhvillimit dhe fuqizimit të të rinjve.

IMG 8625
Shperndaj ne: