Ligj

Ligjëratë e hapur në Fakultetin Juridik

Në Fakultetin Juridik, për studentët që vijojnë lëndën e kriminalistikës, me ftesë të Dekanit dhe profesor i lëndës, Islam Qerimi, u organizua një ligjëratë e hapur e mbajtur nga Drizan Shala, ekspert i sigurisë dhe doktorant në Universitetin e Sarajevës, me temë: Terrorizmi në Epokën e Luftës Hibride – Një Kërcënim i Ri për Sigurinë Kombëtare dhe Rajonale. Në këtë ligjëratë, e bazuar në kapitullin e syllabusit të lëndës, u trajtua fenomeni i terrorizmit si një komponent i luftës hibride – një koncept që gjithnjë e më shumë po dominon konfliktet moderne.

Në këtë prezantim, doktoranti Shala fillimisht u përqendrua në përkufizimin e terrorizmit. Ai potencoi se terrorizmi, siç përkufizohet nga ekspertë si Bruce Hoffman dhe Alex P. Schmid, është një metodë e përdorimit të dhunës me qëllime politike, shpesh e shoqëruar me manipulim të frikës publike. Më tutje ai shtoi se kur ai bashkëjeton me forma të tjera të agresionit – si dezinformimi, lufta kibernetike, presioni ekonomik apo përdorimi i aktorëve jo-shtetërorë – krijohet një kërcënim hibrid, shumë më kompleks dhe vështirë i parandalueshëm.

Eksperti Shala shtjelloi qartë elementet kyçe të kërcënimeve hibride, duke përfshirë:

  • Terrorizmin dhe luftën kibernetike,
  • Dezinformimin dhe propagandën,
  • Presionin ekonomik dhe diplomacinë agresive,
  • Rolin e aktorëve jo-shtetërorë si kontraktorët privatë ushtarakë.

Ai solli në vëmendje shembuj konkretë nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht rasti i grupit Wagner dhe sulmi në Banjskë në Kosovë, si ilustrim i ndërthurjes mes aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë në realizimin e objektivave destabilizuese.

Studentët e përcollën këtë ligjëratë me interesim të madh, ata ngritën pyetje kritike për qasjen strategjike të Kosovës në luftën kundër këtij fenomeni, rolin e edukimit në parandalim, dhe nevojën për shfrytëzimin e teknologjisë për të zbuluar dhe parandaluar taktikat hibride.  Eksperti Shala theksoi në mbyllje të ligjëratës se terrorizmi nuk është më një fenomen i izoluar, por një pjesë e integruar e strategjive moderne të agresionit, dhe përballja me të kërkon një qasje të gjithanshme, të koordinuar dhe inovative.

Në fund, Dekani Qerimi falënderoi ekspertin Shala, në emër të studentëve të Fakultetit Juridik, për ligjëratën e mbajtur me temë “Terrorizmi në Epokën e Luftës Hibride – Një Kërcënim i Ri për Sigurinë Kombëtare dhe Rajonale.” Ai shtoi, se ligjërata e tij ishte një kombinim i shkëlqyer i qasjes akademike me përvojën praktike, duke ndriçuar dimensionet komplekse të kërcënimeve hibride dhe ndikimit të tyre në sigurinë rajonale. Analiza e thelluar mbi terrorizmin, luftën kibernetike, dezinformimin dhe rolin e aktorëve jo-shtetërorë, jo vetëm që pasuroi njohuritë tona, por edhe na shtyri të reflektojmë për sfidat me të cilat përballet shoqëria jonë sot.

Në fund Dekani Qerimi dhe eksperti i sigurisë Shala, u dakorduan që bashkëpunimet e tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

 

 

 

 

 

 

 

Shperndaj ne: