Eko1

Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit Ekonomik dhe CDF-it

Më datë 3 tetor 2025, në ambientet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit Ekonomik dhe organizatës Community Development Fund (CDF). Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë u përfaqësua nga Dekani, Prof. Asoc. Dr. Qazim Tmava, Prodekani për Hulumtime dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Esat Durguti, dhe Prodekanja për Cilësi dhe Mësimdhënie, Prof. Ass. Dr. Filloreta Kunoviku-Demiri, ndërsa CDF-ja u përfaqësua nga Drejtoresha Ekzekutive, znj. Nermin Mahmuti.

Marrëveshja ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në disa fusha kyçe, duke përfshirë:

  • Shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, përmes organizimit të punëtorive të përbashkëta, vizitave studimore dhe bashkëpunimit profesional në fusha me interes të ndërsjellë, me synim përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe nxitjen e kërkimeve shkencore.
  • Promovimin e përgjegjësisë mjedisore, përmes aktiviteteve që mbështesin praktika të qëndrueshme dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit, në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm.
  • Angazhimin dhe mobilizimin e komunitetit, duke nxitur iniciativa të përbashkëta që përfshijnë aktivisht studentët dhe qytetarët në zhvillimin e komunitetit lokal dhe në rritjen e vetëdijes shoqërore.

Menaxhmenti i Fakultetit Ekonomik shpreh falënderim të veçantë për Drejtoreshën e CDF-së, znj. Nermin Mahmuti, për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë këtij procesi.

Eko2
Shperndaj ne: