Memorandum Bashkëpunimi me Institutin Edutask
Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të bashkëpunojë me Institutit Edutask me qëllim të zbatimit të projektit “StartLab360”, i cili synon të mbështesë të rinjtë e moshës 16–25 vjeç. Planifikohet që studentët dhe të rinjtë të mbështeten përmes trajnimeve në ndërmarrësi, orientimit në karrierë dhe aktiviteteve inovative të udhëhequra nga të rinjtë, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit lokal.
Për të përcaktuar fushat e bashkëpunimit të enjten u nënshkrua edhe një Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet UIBM dhe Institutit Edutask të përfaqësuar nga rektorja, prof.dr. Nurten Deva dhe drejtoresha ekzekutive, Diana Lekaj. Përveç fushave të bashkëpunimit, janë përcaktuar edhe rolet dhe përgjegjësitë e secilës palë në mbështetje të zbatimit të aktiviteteve të StartLab360 që përfshijnë studentë dhe të rinjtë.
Ndër të tjera, parashihet që në kuadër të këtij Memorandumi Bashkëpunimi, palët të angazhohen për njoftimin e studentëve dhe të rinjve në aktivitete të përbashkëta, organizimin dhe mbajtjen e një sesioni informues lidhur me projektin StartLab360, mbështetjen për organizimin e trajnimeve, punëtorive, laboratorëve të inovacionit dhe aktiviteteve për zhvillimin e projekteve etj. Zbatimi i projektit StartLab360 financohet plotësisht nga donatorët e projektit, përkatësisht BOOST Balkans përmes ALDA-s dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD).
Rektorja Deva, drejtoresha Leka dhe Okarina Gorani, menaxhere e projektit “StartLab360”, shprehën kënaqësinë e tyre për fillimin e bashkëpunimit. Ato gjithashtu shprehën gatishmërinë për angazhimin e nevojshëm për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta.




