Menaxhmenti i UIBM-së në Forumin Evropian për Financimin e Universiteteve 2026
Përfaqësues të menaxhmentit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë morën pjesë në Forumin e EUA-së për Financimin e Universiteteve 2026 (2026 EUA Funding Forum), të organizuar nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane (EUA), më 15–16 tetor 2026, në Brno të Çekisë, me mikpritës Universitetin e Teknologjisë në Brno.
Forumi, i zhvilluar këtë vit nën temën “A University of Value” (Universitet me vlerë), mblodhi drejtues universitarë, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, ekspertë të politikave arsimore dhe përfaqësues të institucioneve financuese për të diskutuar mbi qëndrueshmërinë financiare të universiteteve, modelet e financimit dhe rolin e arsimit të lartë në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik.
Gjatë forumit u trajtuan çështje me rëndësi strategjike për institucionet e arsimit të lartë, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të financimit, përdorimin e të dhënave për vendimmarrje, zhvillimin e partneriteteve ndërkombëtare, mbështetjen e kërkimit shkencor dhe inovacionit, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për përballimin e sfidave financiare dhe organizative.
Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet universiteteve evropiane dhe rëndësisë së krijimit të partneriteteve të qëndrueshme, të cilat kontribuojnë në zhvillimin akademik, përmirësimin e cilësisë dhe forcimin e rolit të universiteteve në shoqëri.
Pjesëmarrja e menaxhmentit të UIBM-së në këtë forum krijoi mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me praktikat evropiane në fushën e menaxhimit universitar dhe financimit të arsimit të lartë. Gjithashtu, diskutimet dhe përvojat e ndara gjatë forumit ofrojnë perspektiva të vlefshme për identifikimin e mundësive të reja të bashkëpunimit dhe avancimin e zhvillimit strategjik të Universitetit.
