Mirëpritet në UIBM profesoresha vizitore nga Universiteti i Këlnit, Prof. Dr. Anja Schiemann
Në një atmosferë të ngrohtë dhe akademike, Fakulteti Juridik i UIBM pati kënaqësinë të mirëpresë profesoreshën e nderuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Këlnit, Prof. Dr. Anja Schiemann, drejtoreshë e Institutit të së Drejtës Penale, e cila po qëndron në UIBM në cilësinë e pr ofesoreshës vizitore. Gjithashtu ajo është pritur në takim edhe nga prorektorët, prof.dr. Sabri Avdullahi, prof.asoc.dr. Edita Bekteshi dhe prof.ass.dr. Bahtir Hyseni.
Ardhja e saj në UIBM është rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit të arritur ndërmjet Fakultetit Juridik të UIBM dhe Fakultetit Juridik të Universiteti i Këlnit, fal angazhimit dhe vizionit të dekanit të Fakultetit Juridik në UIBM, Prof. dr. Islam Qerimi, LLM. Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të studimeve juridike dhe forcimit të shkëmbimit akademik ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë qëndrimit të saj në UIBM, Prof. Dr. Schiemann do të zhvillojë ligjërata të përbashkëta me profesorin Qerimi, si dhe do të organizojë trajnime të specializuara mbi aspektet juridike që ndërlidhen me inteligjencën artificiale në Gjermani dhe në kuadër të Bashkimit Evropian. Këto aktivitete pritet të kontribuojnë ndjeshëm në avancimin e dijes së studentëve dhe stafit akademik, veçanërisht në një fushë dinamike dhe aktuale si ndërthurja e së drejtës me teknologjinë.
Me rastin e pritjes zyrtare, dekani Qerimi shprehu falënderim për pranimin e ftesës dhe gatishmërinë e saj për të ndarë përvojën dhe ekspertizën me komunitetin akademik të UIBM. Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, atij iu dorëzua një simbol përfaqësues i universitetit, me dëshirën që ajo ta konsiderojë veten gjithmonë si profesoreshë nderi e këtij institucioni.
Nga ana e saj, Prof. Dr. Schiemann shprehu falënderime të sinqerta për mikpritjen dhe organizimin e shkëlqyer, duke vlerësuar veçanërisht menaxhmentin, stafin akademik dhe studentët për pritjen e ngrohtë, si dhe për vlerësimet dhe buqetën e luleve të dhuruar nga kryetarja e Parlamentit Studentor të Fakultetit Juridik, znj. Liridona Hyseni.
Kjo vizitë përbën një moment të rëndësishëm për Fakultetin Juridik të UIBM, duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit të përvojave dhe ngritjes së standardeve akademike në përputhje me zhvillimet më të fundit evropiane dhe globale.



