Ftu

U mbajt takimi i parë i Komitetit Drejtues në kuadër të projektit Erasmus+ STRUCTUVET

Më 27.02.2026 u zhvillua me sukses takimi i parë i Komitetit Drejtues në kuadër të projektit ndërkombëtar Erasmus+, STRUCTUVET – Përmirësimi i Veterinarisë në Ballkanin Perëndimor: Reformimi i Kurrikulës, Përditësimi Didaktik dhe Përfshirja e Palëve të Interesit për Përvetësimin e Standardeve të BE-së, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt implementimit të aktiviteteve të planifikuara dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional mes partnerëve.
Universiteti ‘Isa Boletini’ Mitrovicë është partner në projektin STRUCTUVET dhe u përfaqësua në takim nga Menaxheri i projektit, Prof.asoc.dr Valdet Gjinovci, ndërsa pjesë e projektit janë edhe Prof.dr. Mehush Aliu dhe Prof.ass.dr. Arbër Hyseni.
Takimi u mbajt online përmes platformës Teams, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjithë partnerëve të konsorciumit. Gjatë takimit u diskutua në detaje për implementimin e projektit, planin e aktiviteteve dhe strukturën e pakove punuese, duke përcaktuar qartë rolin dhe përgjegjësitë e secilit partner në fazat e ardhshme të realizimit. Vëmendje e veçantë iu kushtua koordinimit ndërinstitucional, afateve kohore dhe mekanizmave të monitorimit për të siguruar zbatim efikas dhe cilësor të projektit.
Në kuadër të projektit STRUCTUVET, UIBM do të përfitojë përmes përditësimit dhe avancimit të lëndëve të caktuara brenda kurrikulës, me fokus të veçantë në fushën e biosigurisë. Ky proces do të kontribuojë në harmonizimin e përmbajtjes akademike me standardet bashkëkohore ndërkombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve institucionale në këtë fushë të rëndësishme.
Takimi përfundoi me dakordimin për hapat e ardhshëm konkretë dhe me angazhimin e përbashkët për realizimin me sukses të objektivave të projektit.
Shperndaj ne: