Fjur 30

Në Fakultetin Juridik u mbajt Tryeza e Rrumbullakët Studentore me temën: “Roli i OKB-së për paqen dhe të drejtat e njeriut”.

Mitrovicë, 21 tetor 2025 – Sot, në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” – Mitrovicë, u mbajt Tryeza e Rrumbullakët Studentore me temën: “Roli i OKB-së për paqen dhe të drejtat e njeriut”, organizuar nga studentët e Fakultetit Juridik me mbështetjen e Menaxhmentit të Fakultetit.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte nxitja e debatit akademik rreth rolit dhe ndikimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në promovimin dhe ruajtjen e paqes, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel global dhe lokal. Po ashtu, u synua fuqizimi i përfshirjes studentore në diskutime që lidhen me drejtësinë ndërkombëtare dhe të drejtën e njeriut.

Në hapje të takimit, fjalën përshëndetëse e mbajti Prof. Dr. Islam Qerimi, Dekan i Fakultetit Juridik, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të studentëve në organizime akademike që ndihmojnë zhvillimin e mendimit kritik dhe profesionalizmit të tyre.

Kontribut të veçantë në tryezë dha edhe LL.M Xhemajl Veliqi, PhD (c), i cili përgëzoi organizatorët për iniciativën dhe theksoi rolin esencial të OKB-së në ruajtjen e paqes dhe sigurimin e të drejtave themelore të njeriut.

Ndërkaq, znj. Liridona Hyseni, Kryetare e Studentëve të Fakultetit Juridik, theksoi rëndësinë që këto aktivitete kanë në lidhjen mes teorisë dhe praktikës, si dhe në ndërtimin e një baze të qëndrueshme për zhvillimin profesional të studentëve.

Në kuadër të tryezës, Adis Zeqiri, student i Fakultetit Juridik, mbajti një prezantim të detajuar mbi temën, duke analizuar nga aspekti juridik ndërhyrjet, misionet paqeruajtëse dhe ndikimin afatgjatë të OKB-së në ruajtjen e stabilitetit dhe të drejtave të njeriut.

Tryeza u moderua me profesionalizëm nga Maida Kabashi, studente e Fakultetit Juridik, e cila siguroi një rrjedhë të qetë dhe dinamike të diskutimeve.

Në përmbyllje të aktivitetit, pjesëmarrësve iu ndanë certifikata mirënjohjeje për kontributin e tyre, ndërsa paneli organizativ i studentëve i ndau një mirënjohje të veçantë Dekanit Prof. Dr. Islam Qerimi, për përkrahjen e vazhdueshme ndaj iniciativave studentore.

Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm në avancimin e diskutimeve akademike në Fakultetin Juridik, duke përforcuar rolin e studentëve në trajtimin e temave me rëndësi globale përmes perspektivës juridike dhe akademike.

Fjur 30
Fjur 30
Fjur 33
Fjur 32
Fjur 31
Fjur 30Fjur 33Fjur 32Fjur 31
Shperndaj ne: