Në UIBM u mbajt Panairi i Shkencës dhe Kulturës nga nxënësit e Gjimnazit “Frang Bardhi”
Në hapësirat e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë u mbajt të martën Panairi i Shkencës nga nxënësit e Gjimnazit “Frang Bardhi”, duke mbledhur nxënës të shkollave të mesme, atyre fillore dhe studentë. Poashtu pjesë e kësaj ngjarjeje ishin edhe shumë ish-nxënës dhe ish-mësimdhënës të Gjimnazit “Frang Bardhi”.
Në ceremoninë e hapjes, drejtori i Gjimnazit, Luan Mehmeti, vlerësoi punën e jashtëzakonshme të gjeneratave të ish-mësimdhënësve. Ai gjithashtu theksoi sukseset e Gjimnazit nëpërmjet personaliteteve të shumta që kanë kaluar nëpër këtë institucion shkollor.
Një fjali rasti e mbajti edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Shefki Begu, ndërsa prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.asoc.dr. Edita Hasani Bekteshi, uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për Panairin dhe 80-vjetorin e Gjimnazit “Frang Bardhi”. “Gjithsesi ky aktivitet që mbahet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, përveç anës simbolike krijon edhe mundësi praktike të komunikimit të drejtpërdrejtë me shkencën nëpërmjet studentëve dhe stafit akademik. Në të njëjtën kohë është edhe një mundësi e mirë për nxënësit që të shohin dhe prekin hapësirat moderne të kampusit universitar dhe të njihen me kushtet dhe mundësitë për të nisur jetën studentore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë”, tha ajo.
Panairi i Shkencës ka vazhduar me demonstrimin e eksperimenteve praktike nga nxënësit, ndërsa dy tavolina ishin të rezervuara edhe për studentët e UIBM.
