Nis puna për hartimin e Planit të Veprimit për Barazi Gjinore 2025-2028
Grupi i punës për hartimin e Planit të Veprimit për Barazi Gjinore 2025-2028, ka mbajtur të hënën një takim të karakterit informues për dinamikën e punës dhe përmbajtjen e dokumentit. Kryesuesi i grupit, prof.asoc.dr, Besim Gollopeni, tha se fillimisht do të bëhet një analizë e gjendjes për të parë përfaqësimin gjinor në të gjitha hallkat e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).
Sipas tij, pasi të analizohet gjendja dhe të krijohet një pasqyrë e saktë e përfaqësimit gjinor në personelin akademik, pozitat udhëheqëse, përfaqësimin gjinor të studentëve dhe administratës, do të hartohen objektivat e këtij plani. “Mandej për secilën objektiv do të përcaktohen aktivitete dhe kostoja e realizimit”, tha ai, duke vlerësuar si një dokument të rëndësishëm për UIBM.
Gollopeni sqaroi se ky dokument do të hartohet duke u bazuar në Ligjin për Barazi Gjinore dhe Statutin e UIBM. “Pasi të bëhet gati drafti i parë, ai do të kalojë në diskutim publik në mënyrë që pas sugjerimeve dhe vërejtjeve të miratohet në Senatin e UIBM”.
