Takim informues për programet e studimit në UIBM me maturantët e Gjimnazit “Frang Bardhi”
Edhe të hënën ka vazhduar fushata informuese për programet e studimit për vitin 2025/26 në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. Alban Fazliu nga Qendra për Zhvillim në Karrierë së bashku me një grup studentësh nga Parlamenti Studentor kanë prezantuar programet dhe kushtet e studimit në UIBM para maturantëve të Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.
Gjimnazistët mitrovicas janë njoftuar për programet e studimit, kushtet e punës në një kampus modern, studimet falas, bursat universitare, trajnimet, shkëmbimet etj. Pjesëmarrësve u janë shpërndarë edhe fletushka me të dhëna për programet dhe informacione të tjera lidhur me mundësitë që ofron UIBM për studentët e rinj.
Takime të tilla informuese janë mbajtur gjatë javës së fundit edhe në shkollat tjera të mesme të Komunës së Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë. Promovimi do të vazhdojë në forma të tjera në mënyrë që të rinjtë të jenë në dijeni për mundësitë që ofrohen për studime në UIBM.


