Foto

Inovacioni, qëndrueshmëria dhe transformimi digjital në fokus të një qëndrimi Postdoktoral

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” vazhdon të forcojë prezencën në hapësirën ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor përmes angazhimit të stafit akademik në programe prestigjioze ndërkombëtare.

Dr. Besart L. Hajrizi, Profesor Asistent në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, ka përfunduar me sukses qëndrimin e tij postdoktoral në Universitetin e Grazit në Austri, në kuadër të programit ndërkombëtar Go Styria Research Scholarship.

Qëndrimi kërkimor u realizua në Department of Environmental Systems Sciences, nën mentorimin e Prof. Dr. Rupert Baumgartner, një emër i njohur në fushën e menaxhimit të qëndrueshmërisë, inovacionit dhe transformimit sistemik. Gjatë kësaj periudhe, Dr. Hajrizi zhvilloi kërkime shkencore që ndërlidhin teknologjitë blockchain, tokenizimin, smart contracts, ndërtimin e qëndrueshëm dhe kriteret ESG (Environmental, Social and Governance) në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Një nga rezultatet kryesore të kësaj pune ishte zhvillimi i kornizës konceptuale BREST (Blockchain-Enabled Real Estate Sustainability and Tokenization Framework), e cila ofron një qasje inovative për integrimin e teknologjive digjitale me objektivat e qëndrueshmërisë dhe financimit modern në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.

Në raportin përfundimtar të vlerësimit, Prof. Dr. Rupert Baumgartner vlerësoi se Dr. Hajrizi demonstroi angazhim të lartë shkencor, aftësi të avancuara analitike dhe qasje ndërdisiplinore, duke arritur të ndërtojë një model konceptual origjinal që lidh inovacionin teknologjik me sfidat financiare dhe të qëndrueshmërisë. Gjithashtu, ai theksoi se rezultatet e arritura krijojnë një bazë solide për publikime të ardhshme shkencore në nivel ndërkombëtar.

Përveç rezultateve kërkimore, kjo përvojë ka kontribuar në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit të Mitrovicës me Universitetin e Grazit dhe institucione të tjera evropiane, duke krijuar mundësi të reja për projekte të përbashkëta kërkimore, mobilitete akademike dhe shkëmbim të njohurive.

Ky sukses paraqet një tjetër dëshmi të potencialit akademik dhe shkencor të stafit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe përkushtimit të universitetit për të qenë pjesë aktive e rrjeteve ndërkombëtare të kërkimit dhe inovacionit.

3
21

Academic Staff

14

Administration

Shperndaj ne: