F2

Profesoresha Andreea Pușcaș nga Rumania po qëndron në UIBM në kuadër të programit Erasmus+

Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” Mitrovicë (UIBM) po pret Assoc. Prof. Andreea Pușcaș nga Rumania, në kuadër të programit Erasmus+ KA171. Qëndrimi i saj po realizohet me mbështetjen e menaxhmentit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe në kuadër të aktiviteteve zyrtare të mobilitetit akademik.

Gjatë qëndrimit të saj në FTU, profesoresha Pușcaș po mban ligjërata tematike për lipidet, si pjesë e lëndës Kimi Organike, duke trajtuar strukturën dhe klasifikimin e lipideve, acidet yndyrore, reaksionet kimike, si dhe rëndësinë e tyre në ushqim dhe shëndet. Ligjëratat po karakterizohen nga përmbajtje bashkëkohore shkencore dhe ndërveprim aktiv me studentët.

Në kuadër të aktiviteteve praktike, profesoresha Pușcaș po ka mundësinë të njoftohet dhe të zhvillojë njohuri praktike në bashkëpunim me stafin akademik të FTU-së, lidhur me aplikimin e teknikave të spektroskopisë infra të kuqe (FTIR) për monitorimin e shkallës së oksidimit të lipideve, si metoda moderne dhe jo-destruktive për vlerësimin e cilësisë së yndyrave dhe vajrave ushqimore.

Aktivitetet akademike po ndiqen me interes të madh nga studentët dhe stafi akademik i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, duke nxitur diskutime profesionale dhe shkëmbim përvojash shkencore. Prof. Pușcaș po shpreh kënaqësi për angazhimin akademik, nivelin e studentëve, si dhe për mikpritjen dhe bashkëpunimin e treguar nga stafi dhe menaxhmenti i FTU-së.

Gjatë qëndrimit, po diskutohen gjithashtu mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm ndërmjet institucioneve partnere, me theks të veçantë në projekte të përbashkëta kërkimore, mobilitet akademik dhe shkëmbim të studentëve dhe stafit akademik.

Qëndrimi i profesoreshës po realizohet në kuadër të programit Erasmus+ dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore të Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë.

Fa1
Shperndaj ne: